Salla dhe Kumbaro në dialog me fermerët e Gjirokastrës: Mbështetje për blegtorinë si shtyllë kryesore e ekonomisë së zonës

Bujqësi | 8 muaj më parë

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, së bashku me ministren e Arsimit dhe njëkohësisht drejtuese politike të qarkut të Gjirokastrës, Mirela Kumbaro Furxhi, zhvilluan sot një takim të hapur me fermerët e Gjirokastrës, Tepelenës, Këlcyrës, Memaliajt, Dropullit, Përmetit dhe Libohovës.

Në qendër të diskutimit ishte sektori i blegtorisë, i cili mbetet shtylla kryesore e ekonomisë së zonës. Fermerët ndanë nevojat e tyre reale për mbështetje, ndërsa u evidentuan potencialet prodhuese të rajonit dhe mënyrat se si ato mund të fuqizohen përmes Skemës Kombëtare 2026, e ndërtuar mbi përvojën e terrenit dhe kërkesat e vetë fermerëve.

Ministri Salla theksoi se për vitin 2026 është planifikuar një mbështetje e lartë për bujqësinë, me një fond prej 119 milionë eurosh, që do të mundësojë investime për prodhimin e produkteve konkurruese në tregjet europiane. Mbështetja do të realizohet përmes një kombinimi instrumentesh financiare: subvencione direkte, skema grantesh dhe garanci shtetërore deri në 70%, duke synuar rritjen e prodhimit, zhvillimin e sipërmarrjeve bujqësore dhe forcimin e qëndrueshmërisë së ekonomisë rurale.

Fermerët e pranishëm theksuan rëndësinë e investimeve në blegtori si faktor kyç për zhvillimin e zonës dhe krijimin e mundësive të reja ekonomike, duke e parë këtë mbështetje si një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të komuniteteve rurale.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme