Siguria ushqimore, ministri Salla në KKIE: 20 milionë dollarë investime në pikat kufitare dhe 130 akte të reja ligjore brenda 2026

Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, ka raportuar sot në Këshillin Kombëtar të Integrimit Evropian (KKIE), duke shpalosur planin e qeverisë për të përafruar standardet e sigurisë ushqimore me ato të Bashkimit Evropian.
Gjatë fjalës së tij, ministri bëri të ditur se viti 2026 do të jetë vendimtar për plotësimin e kuadrit ligjor. Ai njoftoi se janë planifikuar të miratohen rreth 90 akte nënligjore për sigurinë ushqimore, 10 për fushën fitosanitare dhe 31 akte të tjera për veterinarinë përgjatë periudhës 2026–2027.
Investime në infrastrukturë
Ministri Salla vuri theksin te investimet fizike. Ai njoftoi një paketë investimi prej 20 milionë dollarësh, e cila do të shkojë për ndërtimin e shtatë Pikave të reja të Inspektimit Kufitar.
“Përmbushja e kërkesave të Kapitullit 12 nuk kufizohet vetëm në përafrimin e legjislacionit, por kërkon ndërtimin e një sistemi kontrolli efektiv, të barasvlefshëm me atë të BE-së,” theksoi Salla.
Këto pika kufitare, së bashku me fuqizimin e laboratorëve të ISUV dhe AKU-së, synojnë të garantojnë kontroll të rreptë të çdo produkti që hyn apo del nga Shqipëria.
Cilësia e qumështit dhe mbështetja gjermane
Një vëmendje e veçantë iu kushtua cilësisë së qumështit të papërpunuar, një nga sfidat kryesore të sektorit blegtoral. Ministri nënvizoi rëndësinë e projektit “EU for Food Safety”, i mbështetur nga qeveria gjermane, i cili po asiston në përgatitjen e Programit Kombëtar për standardet e operatorëve të biznesit ushqimor.
Sipas Sallës, qëllimi final është zbatimi i zinxhirit të sigurisë “nga ferma në tavolinë”, për të rritur besimin e konsumatorit shqiptar dhe për t’u hapur rrugë eksporteve shqiptare në tregun e përbashkët evropian.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





