Shqiptarët në Lion/ Shoqata “Iliria” ruan gjuhën, kulturën dhe lidhjet me atdheun

Arsim | 7 muaj më parë

Në rubrikën “Takimi me shqiptarët nëpër botë”, emisioni “Mirëmëngjes Shqipëri” ndaloi këtë herë te komuniteti shqiptar në Lion, Francë, qyteti i tretë më i madh i vendit. Në studio ishte e ftuar Elizabeta Shehu, e cila prej 13 vitesh jeton me familjen në Francë dhe ndau rrugëtimin e integrimit, angazhimin në komunitet dhe aktivitetet që mbajnë të gjallë identitetin shqiptar.

Shehu tregoi se vendimi për t’u larguar nga Shqipëria nuk ishte i lehtë, sidomos si prind, ndërsa vitet e para në Francë u shoqëruan me sfida të gjuhës dhe ambientimit. Ajo theksoi se Lioni ofron mundësi për këdo që punon dhe ka talent, duke nënvizuar se atje iu njoh edhe diploma e saj si ekonomiste dhe sot ushtron profesionin në një kabinet kontabiliteti.

Përtej punës, Elizabeta Shehu është e angazhuar prej vitesh në jetën komunitare nëpërmjet Shoqatës Shqiptare “Iliria”, ku është presidente prej dy vitesh. Ajo shpjegoi se shoqata, e krijuar prej rreth 30 vitesh nga studentë shqiptarë të Shqipërisë dhe Kosovës, funksionon 100% mbi bazë vullnetare dhe synon të përmirësojë imazhin e Shqipërisë dhe Kosovës në sytë e francezëve, duke shërbyer si urë lidhëse mes institucioneve dhe komunitetit.

Sipas saj, në zonën e Lionit jetojnë rreth 15 mijë shqipfolës, por një shifër e saktë është e vështirë të përcaktohet për shkak të statusit të ndryshëm të dokumentacionit. Megjithatë, komuniteti është i pranishëm në shumë fusha pune: nga ndërtimi dhe industria, te IT, arkitektura dhe administrata publike, me shembuj suksesi edhe në profesione të larta.

Shoqata “Iliria” ka një bashkëpunim të ngushtë me Ambasadën e Shqipërisë në Paris dhe Ambasadën e Kosovës, dhe organizon çdo vit disa aktivitete të përhershme, ku ftohen edhe përfaqësues të trupit diplomatik e konsullor. Shehu përmendi veçanërisht aktivitetin e Pavarësisë së Kosovës, organizuar më 21 shkurt, ku mori pjesë edhe ambasadori i Kosovës, si dhe pjesëmarrjen në festat konsullore të Bashkisë së Lionit, ku Shqipëria dhe Kosova përfaqësohen me stenda dhe aktivitete kulturore.

Një tjetër fokus i shoqatës është ruajtja e gjuhës shqipe. Shehu tha se “Iliria” ka pasur më parë një shkollë shqipe vullnetare dhe tani po punon që gjuha shqipe të futet në mënyrë zyrtare, në bashkëpunim me institucionet shqiptare e kosovare dhe autoritetet arsimore lokale, duke qenë se është gjetur edhe një shkollë publike e gatshme të vërë në dispozicion një klasë, ndërsa procedurat administrative kërkojnë kohë.

Në fund, Elizabeta Shehu ndau edhe një lajm të bukur familjar: djali i saj Gabriel, 9-vjeçar, talent premtues në futboll, është regjistruar në “Olimpikun e Lionit” dhe pritet të ketë së shpejti një tjetër vlerësim për rrugëtimin e tij sportiv. Ajo theksoi se fëmija mban gjithmonë simbolet shqiptare me krenari.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme