Parlamenti rural në Lezhë dhe Mirditë, fermerët kërkojnë më shumë mbështetje për bujqësinë

Bujqësi | 6 muaj më parë

Për tre ditë me radhë, Lezha dhe Mirdita mirëpritën Parlamentin e Katërt Kombëtar Rural. Fermerë dhe prodhues nga e gjithë Shqipëria u bënë bashkë, në prani të përfaqësuesve të Ministrisë së Bujqësisë dhe Bashkimit Evropian, ku u diskutuan problemet dhe sfidat e zhvillimit rural.

Kryetarët e bashkive Lezhë dhe Mirditë kërkuan më shumë mbështetje për sektorin e bujqësisë, duke e konsideruar atë si mënyrën e vetme për t’i dhënë jetë fshatit dhe për të ndaluar shpopullimin.

Edhe fermerët theksuan se nevojat për investime në bujqësi dhe mbështetja me subvencione janë domosdoshmëri për zhvillimin e zonave rurale.

“Kemi nevojë për një mbështetje më të madhe nga Ministria e Bujqësisë. Jemi me shpresë që do të jemi përfitues për grantet e vogla”, u shpreh fermeri nga Mirëdita, Preng Doda.

“Në zonën tonë kemi 3 çështje të rëndësishme siç është bujqësia, blegtoria dhe turizmi. Kemi nevojë për përkrahje më të madhe nga shteti për të investuar”, tha fermeri nga Vermoshi, Prek Vushaj.

Përfaqësuesja e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural kërkoi bashkëpunim mes të gjithë aktorëve për zhvillimin e qëndrueshëm.

Në fokus të Parlamentit Kombëtar Rural ishte partneriteti, reformat dhe zhvillimi koheziv territorial, si shtylla kyçe për një Shqipëri rurale më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme