Vlora tërheq turistë dhe jashtë sezonit, të huajt zgjedhin bregdetin dhe natyrën shqiptare
Qyteti i Vlorës po përjeton një rritje të ndjeshme të numrit të turistëve, edhe në ditët e fundit jashtë sezonit të pikut veror. Të huaj nga vende të ndryshme të botës kanë zgjedhur bregdetin shqiptar për të kaluar pushimet, të tërhequr nga natyra dhe klima e favorshme.
Një nga eksperiencat më të kërkuara mbetet eksplorimi me mjete detare drejt Karaburunit dhe Sazanit, zona që vijojnë të mbeten ndër më të preferuarat për vizitorët.
“Jam nga Suedia dhe çdo ditë po më pëlqen gjithnjë e më shumë Shqipëria. Mund të them që po dashurohem me këtë vend. Natyra, moti dhe mikpritja janë të mrekullueshme”, u shpreh një turist.
“E zgjodha Shqipërinë pasi kisha lexuar shumë në internet dhe ma kishin sugjeruar miqtë. Deri tani, gjithçka është shumë mirë”, tha një turiste tjetër.
“Kjo është hera e dytë që vij në Shqipëri. Kemi vizituar edhe qytete të tjera dhe tani po shijojmë Vlorën pa plane”, tha një turist.
“Jemi një grup miqsh dhe po kalojmë shumë bukur. Me siguri do të rikthehem sërish”, u shprehën turistët.
Operatorët turistikë shprehen se interesi për këtë zonë është në rritje, ndërsa theksojnë nevojën për ta bërë më të aksesueshëm për vizitorët ishullin e Sazanit. Sipas tyre, kjo pikë ka potencial të madh për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit në rajon.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





