Bujqësia dhe mjedisi në fokus, deputetët miratojnë në komision marrëveshjen me Gjermaninë për “Vjosën e Gjelbër”

Bujqësi | 6 muaj më parë

Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural, nën drejtimin e kryetarit Blendi Klosi, miratoi në mbledhjen e fundit dy nisma ligjore që prekin drejtpërdrejt tregtinë rajonale dhe zhvillimin e qëndrueshëm mjedisor. Fokus i veçantë iu dha bashkëpunimit me Gjermaninë për mbrojtjen e Parkut Kombëtar të Vjosës dhe rregullave të reja të CEFTA-s.

“Vjosa e Gjelbër”, një projekt për turizëm dhe biodiversitet

Një nga pikat më rëndësishme të mbledhjes ishte ratifikimi i marrëveshjes së bashkëpunimit teknik me qeverinë e Republikës Federale të Gjermanisë për projektin “Green Vjosa”. Zëvendësministri i Mjedisit, Genti Gazheli, prezantoi detajet e këtij projekti që synon ta kthejë zonën e ujëmbledhësit të Vjosës në një model të zhvillimit rajonal të gjelbër.

Objektivat kryesore të projektit janë promovimi i ekosistemit unik si bazë për turizmin e qëndrueshëm; mbështetja për krijimin e rezervës së planifikuar “Njeriu dhe Biosfera”; forcimi i kapaciteteve të komuniteteve lokale për të rritur ekonominë përmes mbrojtjes së natyrës; sigurimi i një rritjeje ekonomike që nuk dëmton integritetin ekologjik të Lumit Vjosa.

Komisioni shqyrtoi dhe miratoi gjithashtu Protokollin Shtesë 7 të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA). Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, sqaroi se ky protokoll i jep Shqipërisë akses në një mekanizëm më efikas dhe të pavarur për zgjidhjen e konflikteve që mund të lindin gjatë shkëmbimeve tregtare në rajon.

Ky mekanizëm i ri konsiderohet i detyrueshëm për palët, duke garantuar kështu që prodhimet shqiptare, veçanërisht ato bujqësore, të mos përballen me barrierave të padrejta në tregjet fqinje.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve nga anëtarët e komisionit, të dyja projektligjet u miratuan në parim, nen për nen dhe në tërësi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme