Miratohet plani 10-vjeçar për Parkun Kombëtar “Lumi Vjosë”, vizioni dhe sfidat për mbrojtjen e lumit të fundit të egër në Evropë

Turizëm | 5 muaj më parë

Ministria e Mjedisit ka hedhur një hap vendimtar drejt konsolidimit të mbrojtjes për pasurinë më të çmuar natyrore të vendit. Me një Urdhër që është botuar të martën (21 prill) edhe në Fletoren Zyrtare, Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, ka miratuar zyrtarisht “Planin e Integruar të Menaxhimit të Parkut Kombëtar ‘Lumi Vjosë’”.

Ky dokument strategjik, i cili shtrihet në një periudhë 10-vjeçare (2024-2033), vjen një vit pas shpalljes historike të Vjosës si Park Kombëtar i Kategorisë II të IUCN dhe vendos rregulla të rrepta për mbrojtjen e 12,727 hektarëve ekosistem lumor. Përmes një qasjeje që balancon konservimin strikt me turizmin e qëndrueshëm, plani synon t’i japë fund abuzimeve shumëvjeçare në shtratin e lumit.

Një lumë i gjallë, pa barriera

Shtylla kurrizore e këtij plani është ruajtja e dinamikës natyrore të Vjosës—vazhdimësia e rrjedhës së saj të papenguar dhe transporti natyror i sedimenteve nga burimi në det. Plani e ndan parkun në dy zona: Nënzona Qendrore (ku përfshihet 92.9% e sipërfaqes me mbrojtje strikte) dhe Nënzona e Zhvillimit të Qëndrueshëm (7.1%), ku lejohen aktivitetet tradicionale me ndikim të ulët, shkruan rtsh.al.

Për të vulosur synimin e këtij dokumenti, autoritetet kanë përcaktuar një vizion të qartë dhe ambicioz:

“Vizioni gjithëpërfshirës afatgjatë është që Lumit Vjosa, nga burimi i tij deri në det, duke përfshirë të gjitha degët, t’i ofrohet mbrojtje e plotë kombëtare dhe ndërkufitare, sipas standardeve më të larta ndërkombëtare, dhe të ruhet efektivisht si një lumë i gjallë, i egër, me rrjedhje të lirë, në dobi të njerëzve dhe natyrës në Shqipëri, Greqi dhe në botë.”

Kjo qasje merr një rëndësi të jashtëzakonshme kur merret parasysh se në pellgun e Vjosës janë dokumentuar 1,687 specie të florës dhe faunës, nga të cilat 119 bëjnë pjesë në Listën e Kuqe Kombëtare dhe 39 në Listën e Kuqe të IUCN.

“Vija e kuqe” e kërcënimeve, zhavorri, ndotja dhe digat

Pavarësisht statusit të lartë mbrojtës, dokumenti zyrtar pranon me transparencë kërcënimet e rënda që i vijnë parkut kryesisht nga jashtë kufijve të tij fizikë. Plani i Menaxhimit thekson se të gjitha ndërtimet tërthore (digat, hidrocentralet, apo masat agresive për mbrojtjen nga përmbytjet) përbëjnë rrezikun primar.

Një theks i veçantë në dokument i vihet masakrës mjedisore të shkaktuar nga nxjerrja e inerteve, duke kërkuar një ndërhyrje radikale:

“Nxjerrja e zhavorrit ka efekte të rënda negative në lumë dhe ndikon negativisht jo vetëm te hidromorfologjia, por edhe speciet. Do të jetë thelbësore të ekzekutohet mbyllja e të gjitha vendeve të nxjerrjes së zhavorrit dhe të merren në konsideratë alternativat për furnizimin me zhavorr për ndërtimet e infrastrukturës.”

Krah nxjerrjes së inerteve, plani ngre alarmin për devijimin e ujërave pa kriter dhe ndotjen nga ujërat e zeza të pafiltruara urbane, mbetjet industriale (veçanërisht industria e naftës dhe bitumit) dhe shkarkimet nga fermat e peshkut.

Rregullimi i turizmit dhe hapat e ardhshëm

Eko-turizmi dhe sportet ujore (si rafting, i cili po përjeton një boom përgjatë Përmetit dhe Tepelenës) shihen si motorë zhvillimi, por plani paralajmëron se zhvillimi pa rregulla sjell pasoja.

“Aktivitetet e parregulluara të sporteve ujore mund të çojnë në humbje të bimësisë, ngjeshje të tokës dhe cenim të kanaleve. Prandaj, duhet të vendosen rregulla dhe duhet të instalohet një monitorim i ndikimeve,” thekson dokumenti, duke kërkuar standardizim të pajisjeve, orareve dhe kufizim të numrit të varkave.

Për zbatimin e këtij plani do të ngarkohet Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) në bashkëpunim me degët e saj rajonale në Fier, Vlorë dhe Gjirokastër, ndërkohë që parashikohet ngritja e një Autoriteti Specifik të Parkut të mbështetur nga donatorë. Meqenëse dinamika e sfidave është tepër e lartë, plani parashikon një vlerësim afatmesëm të efikasitetit të tij pas pesë vitesh, në vitin 2028-2029.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme