Rishfaqja e murtajës tek ruminantët e vegjël, asnjë rast i dyshimtë deri tani në qarkun e Shkodrës
Pas rishfaqjes së sëmundjes së murtajës tek ruminantët e vegjël në zonën e Burrelit, janë shtuar kontrollet dhe masat parandaluese për të frenuar përhapjen e saj në zonën veriore të vendit.
Në qarkun e Shkodrës, i cili ishte ndër më të prekurit nga kjo sëmundje vitin e kaluar, po ushtrohen kontrolle të imtësishme në të gjitha fermat. Sipas drejtuesve të shërbimit veterinar, deri në këto momente nuk është evidentuar asnjë rast i dyshimtë.
“Ne vijojmë me kontrollet e përditshme të fermave për të zbuluar raste të prekura, por deri sot nuk ka asnjë rast të dyshuar apo pozitiv. Fermerët nuk duhet të fusin në asnjë mënyrë kafshë me origjinë të panjohur”, tha Mark Preçi, Drejtuesi i shërbimit veterinar në qarkun e Shkodrës.
Edhe pse vatra e re e infeksionit nuk kufizohet me qarkun e Shkodrës, duke marrë në konsideratë përvojën e vitit të shkuar, shërbimi veterinar ka përqendruar masat në kufizimin e lëvizjes së bagëtive, e cila konsiderohet si rreziku kryesor për përhapjen e virusit.
“Vitin e kaluara krijuam një eksperiencë që nuk lejuam që të përhapej në më shume se tre ferma”, tha ai.
Në qarkun e Shkodrës, ku murtaja e ruminantëve të vegjël u shfaq për herë të parë vitin e shkuar, u asgjësuan mbi 500 krerë bagëti të imta në tre fermat ku u konfirmua infeksioni.
Murtaja e ruminantëve të vegjël është një sëmundje virale infektive që nuk transmetohet nga kafshët tek njerëzit, por mund të shkaktojë dëme të konsiderueshme ekonomike në sektorin e blegtorisë, veçanërisht tek fermat me bagëti të imta.
Gazetar: A. Hoti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





