Salla në Dibër: Dyfishim fondesh për bujqësinë dhe mbështetje për fermerët me teknologji dhe grante
Në Dibër, në kuadër të turit “Punët e Shqipërisë”, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ku ishte i pranishëm dhe kryeministri Edi Rama, zhvilluan një takim me fermerët ku u prezantuan masat e reja për mbështetjen e bujqësisë, modernizimin e sektorit dhe përmbushjen e standardeve të kërkuara nga Bashkimi Europian.
Diskutimet u përqendruan tek rritja e investimeve, lehtësitë e reja financiare dhe domosdoshmëria e bashkimit të fermerëve përmes Shoqërive të Bashkëpunimit Bujqësor (SHBB), një model që tashmë po zbatohet në Dibër, veçanërisht në sektorin e fruta-perimeve, me mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë dhe Bankës Botërore.
“Në qarkun e Dibrës po zbatohet modeli i bashkimit të fermerëve përmes strukturave të përbashkëta të bashkëpunimit bujqësor, veçanërisht në sektorin e fruta-perimeve. Ky projekt mbështetet nga Ministria e Bujqësisë dhe nga Banka Botërore, ndërsa tashmë janë lidhur kontrata me subjekte që grumbullojnë dhe tregtojnë prodhimet përmes këtyre strukturave.”
Ministri Salla bëri të ditur se janë lidhur kontrata me subjekte që grumbullojnë dhe tregtojnë prodhimet përmes këtyre strukturave, duke krijuar një rrjet të organizuar që garanton tregje të qëndrueshme dhe standarde të larta.
Një risi e veçantë e prezantuar ishte përdorimi i teknologjisë digjitale në bujqësi, përmes një modeli pilot me sensorë inteligjentë që monitorojnë sipërfaqet bujqësore në kohë reale, duke dhënë informacion për vaditjen, spërkatjen, plehërimin dhe kushtet atmosferike.
“Në Dibër po zbatohet një model pilot me sensorë inteligjentë që monitorojnë sipërfaqet bujqësore në kohë reale. Këta sensorë japin informacion për vaditjen, spërkatjen, plehërimin dhe kushtet atmosferike. Synimi është që deri në muajin korrik ky sistem të shtrihet në të gjithë territorin e vendit, duke u ofruar fermerëve akses në të dhëna përmes telefonit ose aplikacioneve digjitale.”
Salla theksoi se deri në korrik ky sistem do të shtrihet në të gjithë territorin e vendit, duke u ofruar fermerëve akses në të dhëna përmes telefonit ose aplikacioneve digjitale.
Ministri prezantoi gjithashtu risitë e skemës kombëtare të mbështetjes për bujqësinë, duke bërë të ditur se buxheti i saj është dyfishuar dhe përfshin subvencione për kultivimin e ullirit dhe qershisë, mbështetje për pajisje të vjeljes dhe ruajtjes, si dhe rritje të subvencioneve për sektorin e bletarisë, ku mbështetja për koshere është dyfishuar nga 10 mijë lekë në 20 mijë lekë.
“Buxheti i skemës kombëtare është dyfishuar dhe përfshin mbështetje për një gamë të gjerë sektorësh. Subvencionet për kultivimin e ullirit dhe qershisë janë rritur, ndërsa mbështetja përfshin edhe pajisje të ndryshme që lidhen me procesin e prodhimit dhe përpunimit, si rrjetat, pajisjet e vjeljes dhe mjetet e ruajtjes.”
Përveç kësaj, fermerët përfitojnë pajisje si centrifuga për përpunimin e mjaltit, tanke ruajtjeje dhe materiale ambalazhimi, me synimin për të garantuar sigurinë ushqimore dhe rritjen e cilësisë së prodhimit.
Në sektorin e blegtorisë, pragu minimal i përfitimit është ulur nga 100 në 50 krerë, ndërsa subvencionet janë rritur, dhe është prezantuar mbështetja deri në 30 mijë euro për ndërtimin e staneve të pajisura me sisteme sigurie, panele diellore dhe kontejnerë të lëvizshëm.
“Subvencioni për koshere është dyfishuar nga 10 mijë lekë në 20 mijë lekë, ndërsa mbështetja përfshin edhe pajisje si centrifuga për përpunimin e mjaltit, tanket e ruajtjes dhe materialet e ambalazhimit, me synimin për të garantuar sigurinë ushqimore dhe rritjen e cilësisë së prodhimit.”
Një tjetër masë e rëndësishme është granti deri në 10 mijë euro për të rinjtë që duan të investojnë në bujqësi, me qëllim nxitjen e sipërmarrjes së re në zonat rurale.
Salla bëri të ditur se gjatë vitit të kaluar janë mbështetur rreth 440 aplikime në sektorë të ndryshëm, përfshirë mekanizimin bujqësor dhe agroturizmin, ndërsa këtë vit fondi i përgjithshëm arrin në 52 milionë euro.
“Granti deri në 10 mijë euro për të rinjtë që duan të investojnë në bujqësi synon të nxisë sipërmarrjen e re në zonat rurale. Gjatë vitit të kaluar janë mbështetur rreth 440 aplikime në sektorë të ndryshëm, përfshirë mekanizimin bujqësor dhe agroturizmin, ndërsa këtë vit fondi i përgjithshëm arrin në 52 milionë euro.Mbështetja është zgjeruar edhe për blegtorinë, duke ulur pragun minimal të përfitimit nga 100 në 50 krerë, si dhe duke rritur subvencionet për bagëtitë. Gjithashtu, ofrohet mbështetje për ndërtimin e staneve deri në 30 mijë euro, të pajisura me sisteme sigurie, panele diellore dhe kontejnerë të lëvizshëm për ruajtjen e produkteve dhe sigurimin e kushteve optimale për kafshët.”
Ai nënvizoi rëndësinë e formalizimit të shitjeve përmes faturimit, duke theksuar se fermerët do të përfitojnë kompensim financiar në bazë të sipërfaqes së punuar dhe produkteve të tregtuara, proces që ka nisur më 1 janar dhe do të vijojë deri më 31 dhjetor.
Salla theksoi se ngritja e strukturave të përbashkëta të fermerëve dhe modernizimi i prodhimit do të ndihmojnë në rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve shqiptare dhe përmbushjen e standardeve të kërkuara nga tregu i Bashkimit Europian, duke e bërë bujqësinë shqiptare më të fortë dhe më të integruar në tregjet ndërkombëtare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





