Lushnjë, çelet edicioni i pestë i panairit ndërkombëtar “Ditët e Bujqësisë 2026”, Salla: Mbështetje e pandërprerë përmes Skemës Kombëtare

Bujqësi | 5 muaj më parë

Me synimin për të fuqizuar urat e bashkëpunimit mes fermerëve vendas dhe tregjeve ndërkombëtare, qyteti i Lushnjës ka mikpritur këtë të martë edicionin e pestë të panairit “Ditët e Bujqësisë 2026”. Për tre ditë me radhë, nga data 28 deri më 30 prill, sheshi qendror i qytetit do të transformohet në një pikë takimi strategjik, duke mbledhur mbi 100 fermerë, sipërmarrës, ekspertë dhe inovatorë nga Shqipëria, rajoni dhe Evropa.

Në ceremoninë zyrtare të hapjes, e cila nisi me një program të pasur artistik, ishin të pranishëm përfaqësues të lartë të institucioneve qendrore dhe vendore, përfshirë Kryetaren e Bashkisë së Lushnjës, Eriselda Sefa, si dhe Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Ministri Salla e vlerësoi panairin si një ngjarje me rëndësi jetike jo vetëm për ekonominë lokale, por për mbarë sektorin bujqësor të vendit, duke theksuar rolin e tij në nxitjen e eksporteve dhe krijimin e lidhjeve të reja tregtare.

“Është një ditë e veçantë për Lushnjën dhe për Shqipërinë, pasi ky panair është kthyer në një nga aktivitetet më të rëndësishme për bujqësinë në vend. Ajo që e bën të veçantë është pjesëmarrja jo vetëm e bizneseve shqiptare, por edhe e kompanive nga rajoni dhe Evropa, duke krijuar mundësi reale për shkëmbim përvojash dhe lidhje kontratash që çojnë produktet tona drejt tregjeve ndërkombëtare.”, tha andis Salla, Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Ministri e cilësoi organizimin si jashtëzakonisht të shkëlqyer, duke theksuar se aktivitete të tilla i japin vlerë potencialit të qytetit dhe e çojnë atë drejt një niveli të ri zhvillimi ekonomik rajonal.

Fokusi te bashkëpunimi dhe modernizimi

Pas ceremonisë hapëse, gjatë vizitës në stendat e ekspozuesve ku po prezantoheshin teknologjitë më të fundit dhe produktet cilësore vendase, vëmendje e veçantë iu kushtua formave të reja të organizimit të fermerëve. Ministri nënvizoi nevojën e ngutshme për fuqizimin e Shoqërive të Bashkëpunimit Bujqësor (SHBB), si një model i qëndrueshëm që garanton rritjen e vëllimit të prodhimit dhe standardizimin e cilësisë.

“Së bashku me bashkitë, po punojmë për të shtrirë modelin e SHBB-ve në të gjithë vendin, për të forcuar organizimin e fermerëve dhe për të rritur konkurrueshmërinë e sektorit,” u shpreh Salla. Ai siguroi të pranishmit se mbështetja shtetërore do të vijojë e pandërprerë përmes Skemës Kombëtare dhe paketave të reja financiare, me objektivin final afrimin e bujqësisë shqiptare me standardet kërkuese të Bashkimit Evropian.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme