Rregulla të rrepta për peshkimin dhe akuakulturën, ministria e Bujqësisë nis monitorimin me 6 faza për kontratat në të gjithë vendin

Bujqësi | 5 muaj më parë

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka miratuar një udhëzim të ri, i cili reformon rrënjësisht mënyrën se si shteti do të monitorojë shfrytëzimin e pasurive ujore në Shqipëri. Dokumenti i firmosur nga Ministri Andis Salla synon të unifikojë procesin e kontrollit për të gjitha subjektet që ushtrojnë aktivitet në peshkimin në ujërat e brendshme dhe në akuakulturë.

Ky akt ligjor vjen si një masë për të garantuar që pasuria kombëtare ujore të përdoret me përgjegjësi, duke ndëshkuar abuzimet me sipërfaqet, metodologjitë e zënies dhe mospërmbushjen e investimeve të premtuara.

Çfarë do të verifikohet në terren?

Monitorimi nuk do të jetë më thjesht formal, por do të mbështetet në prova faktike. Struktura përgjegjëse në Ministri, në bashkëpunim me Inspektoratin e Peshkimit, do të verifikojë nëse janë ndërtuar vaskat, inkubatorët, laboratorët apo magazinat frigoriferike të deklaruara në plan-biznes; verifikimi i numrit real të punonjësve përmes deklaratave të sigurimeve shoqërore dhe listëpagesave; respektimi i koordinatave dhe sipërfaqes ujore të përcaktuar në kontratë, për të shmangur zënien e hapësirave të paautorizuara; pagesa e taksave vjetore dhe raportimi i saktë i statistikave të zënies apo kultivimit.

Procedura me 6 faza, nga njoftimi te sanksionet

Udhëzimi përcakton një rrugëtim të qartë ligjor për çdo monitorim, duke garantuar edhe të drejtën e subjekteve për t’u dëgjuar. Subjekti do të njoftohet të paktën 5 ditë përpara për kontrollin; inspektorët verifikojnë fizikun e investimeve dhe pajisjet (varka, rrjeta); analiza e faturave të blerjes/shitjes dhe dokumenteve ligjore brenda 15 ditëve (30 ditë për OMP-të); hartimi i gjetjeve dhe evidentimi i shkeljeve të mundshme; subjektit i jepen 7 ditë kohë për të paraqitur pretendimet e tij; ministri miraton raportin përfundimtar, i cili mund të çojë në masa përmirësimi ose në zgjidhjen e kontratës në raste të rënda.

Ndonëse udhëzimi parashikon monitorime periodike (të paktën një herë në vit), ai i jep dorë të lirë strukturave shtetërore të ndërhyjnë në çdo kohë pa planifikim. Kjo do të ndodhë në rastet kur ka indicie, ankesa nga qytetarët apo informacione nga subjekte private për shkelje të mundshme të kushteve të kontratës apo ligjit për peshkimin.

Me hyrjen në fuqi të këtij udhëzimi, shfuqizohet rregullorja e mëparshme e vitit 2020. Ky ndryshim shënon një kthesë drejt digjitalizimit dhe dokumentimit të rreptë të aktivitetit peshkor, duke vendosur menaxhuesit e zonave përballë një llogaridhënieje më të lartë administrative.

Tashmë, çdo subjekt që operon në ujërat e brendshme apo në akuakulturë ka detyrimin jo vetëm të prodhojë, por të provojë përmes faturave dhe dokumentacionit ligjor çdo hap të aktivitetit të tij, nën vëzhgimin e ministrisë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme