Përmet, muzeu mes destinacioneve më të vizituara – Turistët zgjedhin qytetin për vlerat kulturore

Turizëm | 5 muaj më parë

Përmeti nuk është më vetëm një destinacion për t’u shijuar për natyrën e tij. Qyteti po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë edhe për vlerat kulturore, ku një nga pikat më të frekuentuara është muzeu i qytetit. Interesi për të po rritet nga dita në ditë, duke e kthyer në një ndalesë të rëndësishme për këdo që viziton këtë zonë.

“Ka pasur tepër interes për të vizituar muzeun si nga vizitorët e huaj ashtu edhe nga ata vendas. Gjithashtu dhe shkollat nuk mbeten pas. Ka pasur një rritje me 50% në krahasim me vitin e kaluar, pra interesi ka qenë më i lartë,” u shpreh Thodhore Jorgji, cicerone.

Sipas cicerones Thodhore Jorgji, fluksi i vizitorëve në muze është i konsiderueshëm gjatë gjithë vitit. Ajo thekson se interesi nuk vjen vetëm nga turistët e huaj, por edhe nga vetë shqiptarët, ndërsa një pjesë e rëndësishme e vizitorëve janë nxënësit e shkollave, të cilët e vizitojnë muzeun në kuadër të aktiviteteve edukative.

“Përsa i përket shkollave, ata janë të interesuar dhe sipas programeve mësimore që ata bëjnë. Nëse i referohemi 28–29 Nëntorit, në këtë periudhë vizitohet pavioni i luftës. Atje ka gjëra interesante përsa i përket historisë së partizanëve që kanë çuar në çlirimin e vendit, konkretisht atë të Përmetit.”

Muzeu i Përmetit mbetet kështu një nga asetet kryesore kulturore të qytetit, duke kontribuar në pasurimin e ofertës turistike dhe në edukimin e brezave të rinj.

Gazetare: Leonida Koçiu

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme