Himara çel sezonin turistik me investime të reja – Vangjel Tavo: Kapacitetet akomoduese të prenotuara deri në nëntor

Turizëm | 5 muaj më parë

Himara ka çelur zyrtarisht sezonin turistik 2026 me një sërë aktivitetesh dhe koncertesh festive. Programi përfshin koncerte, panaire dhe evente të ndryshme kulturore, të menduara për të përfshirë të gjitha grupmoshat dhe për të kulmuar gjatë muajve të verës. 

Kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo, u shpreh se aktivitetet do të jenë të shumllojshme dhe të shpërndara përgjatë gjithë sezonit turistik, me synim rritjen e fluksit të turistëve dhe promovimin e qytetit bregdetar si një destinacion tërheqës veror.

Ai theksoi se sezoni veror ka nisur rreth një muaj më herët këtë vit dhe Himara ka regjistruar një numër të lartë pushuesish, si vendas ashtu edhe të huaj. 

“Është viti i dytë radhazi që Himara çel sezonin e saj turistik. Është një simbolikë në fakt, sepse sikurse e kam theksuar edhe më parë, sezoni turistik në Himarë ka filluar një muaj e gjysmë më herët. Himara është e mbushur me vizitorë vendas dhe të huaj. Sot është dita e parë e aktiviteteve. Do të ketë aktivitete në det, në rërë, por edhe në tokë, si maratona e vrapit. Më vonë, në mbrëmje, do të kulmojmë me koncerte ku një numër i madh këngëtarësh do të performojnë në Himarë,” tha Tavo. 

Sipas tij, bazuar në komunikimet me operatorët turistikë, kapacitetet akomoduese janë pothuajse të gjitha të prenotuara deri në muajin nëntor, çka tregon se sezoni turistik pritet të zgjatet.

“Një vit më parë, Himara priti rreth 220 mijë vizitorë. Këtë vit patjetër do të kemi 20-30% më shumë se një vit më parë,” shtoi ai. 

Kryebashkiaku vuri në dukje se investimet publike në infrastrukturë dhe ato private në hoteleri kanë ndikuar ndjeshëm në zhvillimin e turizmit në qytet.

 “Investimet e bëra në infrastrukturë, si ujësjellësi që ka përfunduar dhe është në fazën e testimit, impianti i ujërave të zeza që është vendosur në funksion një vit më parë, si dhe investimet në energji elektrike, kanë krijuar lehtësira të mëdha për aksesimin e resurseve turistike. Gjithashtu, investimet e privatëve në hoteleri jo vetëm që rrisin kapacitetin akomodues të Himarës, por edhe nivelin e shërbimit, pasi kohët e fundit janë ndërtuar hotele me 5 yje dhe brende ndërkombëtare,” deklaroi Tavo. 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme