Pranvera në Erind të Lunxhërisë, fshati ku bujqësia, blegtoria dhe tradita mbeten shtylla të jetës
Pranvera i ka dhënë më shumë gjallëri fshatit Erind, në Lunxhëri. Mes gjelbërimit dhe natyrës së pasur, ky fshat vijon të mbetet i gjallë falë lidhjes së fortë të banorëve me tokën dhe traditën.
“Fshati Erind ka rreth 60-70 shtëpi, ka rreth 400 banorë. Të gjithë janë të lidhur me punën. Këtu punohet shumë bujqësia dhe blegtoria. Në këtë periudhë njerëzit merren me mbjellje, mbjellje perimesh, domate, speca, patëllxhanë. Njëkohësisht bëhet edhe spërkatja” – u shpreh kryetari i fshatit, Shaqo Bojo.
Bujqësia dhe blegtoria janë burimi kryesor i jetesës për familjet e zonës. Banorët tregojnë se puna në tokë dhe rritja e bagëtive mbeten baza e ekonomisë së tyre.
“Më shumë merren me bujqësi, me gjëra të vogla. Një pjesë që kanë bagëti, pjesa tjetër kanë ikur emigrantë, kanë mbetur vetëm një pjesë pleq tani këtu. Unë punoj në ndërtim. Ka kërkesa por nuk ka forcë punëtore. Jetesa është siç ta bësh. Fshati ynë është ‘balli’ i fshatrave se ka klimë, ka çdo gjë, ka ajrin”.
Afërsia me malin e Çajupit, objektet e kultit dhe mikpritja tradicionale po e kthejnë Erindin në një destinacion gjithnjë e më tërheqës për vizitorët.
Mes natyrës, traditës dhe punës së palodhur, Erindi mbetet një nga fshatrat që vazhdon të jetojë dhe të zhvillohet në jug të vendit.
Gazetare: Leonida Koçiu
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





