Të huajt “zbulojnë” bjeshkët e Kukësit, malet e veriut të Shqipërisë tërheqin vizitorët
Gjatë kësaj pranvere është vërejtur një rritje e ndjeshme e numrit të vizitorëve në njësitë e thella administrative të Kukësit, ku destinacionet kryesore mbeten bjeshkët dhe zonat malore.
Turistë të shumtë nga vende të ndryshme evropiane, kryesisht nga Gjermania dhe Zvicra, po zgjedhin të eksplorojnë natyrën e egër, peizazhet alpine dhe mikpritjen tradicionale të banorëve vendas.
Në zonën e Ujmishtit janë ndalur së fundmi disa turistë të huaj, të cilët kanë ndarë përshtypjet e tyre pozitive për udhëtimin në Shqipëri. Një turist nga Gjermania u shpreh se kishte mbetur i befasuar nga bukuritë natyrore të vendit.
“Ne jemi nga Gjermania, kemi ardhur këtu mbrëmë, kemi më shumë se dy javë e gjysmë në Shqipëri. Kemi udhëtuar nëpër male dhe jemi befasuar nga këto vende të bukura në Shqipëri”, tha një turist.
“Vij nga Zvicra dhe po udhëtojmë prej një jave në Shqipëri. Na pëlqen shumë natyra, malet janë të bukura dhe është fantastike që mund të bëjmë një offroad këtu në kaq vende të bukura”, tha një turist tjetër.
Përveç natyrës, turistët kanë vlerësuar edhe ushqimin tradicional dhe mikpritjen e banorëve vendas. Ata tregojnë se gjatë qëndrimit në Shqipëri janë pritur ngrohtësisht nga komunitetet lokale.
“Njerëzit janë shumë miqësorë, janë shumë të hapur, na kanë bërë dhurata kudo si shenjë mirëseardhjeje. Është shumë këndshëm këtu”, u shpreh një turiste.
Sipas tyre, itinerari do të vijojë drejt zonës së Drinit, më pas në jug të vendit dhe në Rivierën Shqiptare, për të shijuar edhe bregdetin shqiptar.
Gazetare: Shkurte Elezaj
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





