Muzetë e Kalasë së Gjirokastrës tërheqin vizitorë. Historia dhe trashëgimia në vëmendjen e të huajve
Muzetë që ndodhen brenda Kalasë së Gjirokastrës po tërheqin gjithnjë e më shumë vizitorë, duke u kthyer në një nga pikat më të rëndësishme të turizmit kulturor në qytet.
Kalaja, e njohur për historinë e saj të gjatë dhe arkitekturën karakteristike, ofron një kombinim të veçantë mes trashëgimisë historike dhe ekspozitave muzeale që tregojnë jetën dhe zhvillimin e zonës ndër shekuj. Kjo ka bërë që gjithnjë e më shumë turistë të zgjedhin ta përfshijnë në itinerarin e tyre.
“Ky muze është shumë interesant. Na ka lejuar të mësojmë shumë për kulturën dhe komunitetin e të zbulojmë më shumë për këtë vend dhe historinë e tij. Po, për mua është hera e parë këtu. Kam kërkuar informacion në internet dhe kam lexuar e mësuar më parë për kalanë dhe muzetë brenda saj”
“Është hera ime e parë në këtë muze ,kam një udhërrëfyes që shpjegon muzeun dhe për këtë arsye jam këtu. Tani po lexoj të gjitha tabelat dhe informacionet. Mendoj se është shumë interesante të shohësh historinë mijëravjeçare të Gjirokastrës. Është paraqitur shumë mirë për ne dhe jam e kënaqur që e vizitova”, thanë disa nga vizitorët e huaj.
Fluksi i vizitorëve ka shënuar rritje të dukshme, veçanërisht gjatë sezonit pranveror. Turistët vijnë të interesuar për të njohur historinë e muzeve, objektet e ekspozuara dhe rrëfimet që lidhen me periudha të ndryshme historike.
Ata shprehen të impresionuar nga mënyra se si informacioni është paraqitur dhe nga ruajtja e mirë e objekteve muzeale, duke e konsideruar vizitën si një eksperiencë të vlefshme kulturore dhe edukative.
“Është shumë e rëndësishme për njerëzit të shohin historinë e kësaj kalaje dhe qytetit. Ka qenë shumë, shumë interesante për mua. Kam parë gjurmë nga pushtimet e para të grekëve dhe romakëve, dhe më pas historinë përgjatë shekujve. Historia është shumë interesante unë jam shumë i interesuar për historinë. Jam nga Austria dhe është hera e dytë që vij në Shqipëri. Mendoj se Shqipëria është një vend shumë interesant, pak i njohur, dhe ndodhet mes Greqisë, Italisë dhe Ballkanit”, tha një vizitor i huaj.
Muzetë që ndodhen brenda Kalasë së Gjirokastrës po konsolidohen gjithnjë e më shumë si atraksione të rëndësishme për turizmin në jug të Shqipërisë. Rritja e numrit të vizitorëve tregon interesin në rritje për historinë, kulturën dhe trashëgiminë e zonës.
Kjo prirje pozitive jo vetëm që ndihmon në promovimin e qytetit, por kontribuon edhe në zhvillimin e turizmit kulturor dhe ekonomik të Gjirokastrës në tërësi.
Gazetare: B. Pëllumbi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





