Mblidhet Këshilli i Sigurisë Publike, në fokus sezoni turistik në Pogradec, zjarret dhe siguria publike

Turizëm | 4 muaj më parë

Çelja dhe mbarëvajtja e sezonit turistik, parandalimi i zjarreve dhe lufta kundër kultivimit të narkotikëve ishin në fokus të mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Publike në Pogradec, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të pushtetit vendor dhe institucioneve të sigurisë.

Gjatë takimit, kryebashkiaku Ilir Xhakolli ngriti shqetësimin për radhët e gjata në Doganën e Qafë Thanës, të shkaktuara nga funksionimi i sistemit “One Stop Shop” në dy sisteme të ndryshme mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Sot që nuk ka filluar sezoni turistik kemi një radhë të gjatë, imagjino kur të jetë sezon. Besoj se do të dëgjohet kërkesa ime dhe e qytetarëve në mënyrë që të mos kemi probleme në lëvizje”, u shpreh Xhakolli.

Në prag të sezonit turistik, Xhakolli bëri të ditur se në bregliqenin e Pogradecit sipërfaqen më të madhe e zënë plazhet publike, ndërsa janë pajisur me leje 50 operatorë ekonomikë për stacionet private të plazheve.

“Sivjet është akoma më shumë raporti që anon më shumë nga plazhet publike se sa nga plazhet private, do të vazhdojë të jetë me çadra falas ashtu siç i kemi pasur 3-4 vjet. Do të kemi një plazh dedikuar plazh për personat me aftësi ndryshe”, tha Xhakolli.

Në mbledhje u diskutua gjithashtu edhe për masat kundër zjarreve dhe monitorimin e zonave të riskut për kultivimin e narkotikëve.

Gazetare: Elsa Xhindole

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme