Murtaja te të imtat, 2 ferma të prekura. Tregu i bllokuar, nis asgjësimi i 110 krerë deleve
Pas konfirmimit të një tjetër vatër e murtajës së ruminantëve të vegjël në zonën e Malit të Gjymtit, në njësinë administrative Dajç, shërbimi veterinar ka vijuar punën me asgjësimin e tufës. Përgjegjësi i Shërbimit Veterinar, Mark Preçi, bën me dije se është infektuar edhe ferma ngjitur me rastin e 3 ditëve më parë, duke e çuar në 110 krerë totalin e prekur.
“Përvec konfirmimit të fermës së parë të infektuar është dhe një fermë ngjitur me të e cila ka rezultuar pozitiv. Tregu i kafshëve të imëta momentalisht është i bllokuar sipas urdhrit të ministrisë dhe nuk do të lejohet tregtimi i kafshëve të imëta”, u shpreh Preçi.
Nga ana tjetër, Shërbimi Veterinar thekson se ende nuk është përcaktuar burimi i infeksionit, për shkak të mungesës së gjurmueshmërisë mbi lëvizjet e kafshëve në fermat e prekura.
“Nuk është konstatuar që në fermën në fjalë të ketë pasur lëvizje kafshësh”, tha ai.
Autoritetet sqarojnë se fermerët që kanë kryer matrikullimin e bagëtive do të përfitojnë dëmshpërblim, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi.
“Ministria ka përfshirë planin e zhdëmtimit, por kjo do të jetë e lidhur me faktin se nëse fermerët nuk do të jenë korrekt përsa i përket matrikullimit nuk do të dëmshpërblehen”, tha Përgjegjësi i Shërbimit Veterinar.
Zona e Malit të Gjymtit numëron vetëm katër ferma të blegtorisë së imët, ndërsa si masë parandaluese, tregjet e kafshëve të imta vijojnë të jenë të mbyllura.
Gazetare: M. Gjoni
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





