Zhvillimi i turizmit në Kukës- Shtëpitë e kthyera në bujtina, modele të suksesshme

Aktualitet | 4 muaj më parë

Në fshatin Bushat, rreth 4 kilometra larg qytetit të Kukës, turizmi duket se po merr zhvillim nga viti në vit. Shtëpitë e kthyera në bujtina po rezultojnë një model i suksesshëm për pritjen e vizitorëve vendas dhe të huaj.

Iljaz Gjana është një i ri nga ky fshat, i cili së bashku me vëllain mori nismën për ta kthyer shtëpinë familjare në bujtinë. E pozicionuar në kodër, ajo ofron një pamje panoramike të liqenit të Fierzës dhe malit të Gjallicës përballë.

Ai thotë se peizazhi është një nga elementët që tërheq më shumë turistët e huaj, së bashku me gatimet tradicionale dhe produktet lokale.

Sipas Iljazit, turistët vijnë nga vende të ndryshme të botës, ndërsa sezoni më i ngarkuar mbetet ai veror.

“Turistët preferojnë më shumë zonën e veriut dhe preferojnë malet dhe preferojnë relaksin. Pëlqejnë ushqimet lokale të zonës si djathin, gjërat e shtëpisë si ushqime tradicionale. Vjen nga Gjermania, nga Hollanda, Franca dhe shumë vende të tjera”, tha Iliazi.

Sot, pjesë e vizitës në Bushat ishte edhe Stephan nga Bullgaria, i cili vizitonte për herë të parë këtë fshat.

“Është një zonë e qetë, jo shumë e komercializuar dhe jo tepër e zhvilluar. Për mua, kjo është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë një udhëtari si unë. Më pëlqejnë shumë edhe njerëzit këtu. Nuk kam qenë kurrë më parë në këtë pjesë të Shqipërisë. Kur udhëtoj, zakonisht hyj në Google Maps dhe kërkoj vende interesante. Nuk e di saktësisht si e gjeta këtë vend, por sapo e pashë për herë të parë nga mali, kuptova që kisha bërë zgjedhjen e duhur. Më pëlqen të udhëtoj në male dhe, kur pashë këtë pamje të bukur, u dashurova me të. Do të rikthehem përsëri, këtë herë me gruan time, sepse dua që edhe ajo ta shohë këtë vend”, tha ai.

Në një pjesë të mirë të fshatrave të Kukës kanë nisur përpjekjet për kthimin e shtëpive të vjetra në bujtina dhe njësi akomoduese për turistët e huaj.

Gazetar: D. Shehu

/rtsh.al/              


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme