Çelet sezoni veror shëndetësor-Rama në Durrës: Do i përgjigjemi rritjes së fluksit turistik

Aktualitet | 4 muaj më parë

Sezoni veror shëndetësor 2026 u hap zyrtarisht sot në Durrës, me aktivizimin e 36 qendrave shëndetësore verore në të gjithë vendin.

Në këto qendra do të shërbejnë 301 mjekë dhe infermierë të sapoemëruar, të dedikuar për të siguruar shërbim shëndetësor të shpejtë dhe cilësor gjatë periudhës së pikut turistik.

Kryeministri Edi Rama i pranishëm në ceremoninë e hapjes vlerësoi punën e mjekëve si “të pazëvendësueshme” si për qytetarët shqiptarë ashtu edhe për turistët e huaj.

 “Qendrat verore shëndetësore janë tashmë një eksperiencë e konsoliduar, e iniciuar disa vite më parë… Këtë vit numri i qendrave është rritur dhe numri i mjekëve e infermierëve që do të shërbejnë është rritur, sepse nga leximi i sezonit të shkuar doli qartë nevoja për ta bërë këtë hap”, tha Rama.

Ai theksoi se rritja e numrit të turistëve këtë vit kërkon përgatitje më të mirë: “Shifrat nga porti flasin për rritje, por po të shohim në tërësi… kemi një rritje sa inkurajuese aq edhe sfiduese. Është shumë e rëndësishme që të gjithë së bashku të bëjmë më të mirën.”

Kryeministri i cilësoi mjekët dhe infermierët e qendrave verore si “ambasadorë të Shqipërisë”, pasi shpesh janë kontakti i parë dhe ndoshta i vetmi me institucionet shtetërore për turistët e huaj.

“Ju jeni mbase e vetmja shëmbëlltyrë e shtetit shqiptar që ata takojnë… Kjo është një arsye më shumë që punën e mirë të bërë në vitet e shkuara ta përmirësojmë edhe më tutje, duke vendosur në kryefjalë njerëzillëkun”, u shpreh më tej ai.

Rama nënvizoi se përshtypjet e turistëve të huaj për shërbimin në qendrat shëndetësore verore kanë qenë kryesisht pozitive, sidomos për komunikimin dhe profesionalizmin e personelit.

Qendrat shëndetësore verore synojnë të ofrojnë ndihmë të shpejtë mjekësore në zonat me fluks të lartë turistik, duke kontribuar kështu jo vetëm në sigurinë shëndetësore, por edhe në imazhin e përgjithshëm të Shqipërisë si destinacion turistik.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme