Temperaturat e larta mbushin plazhet, operatorët presin rezervimet e qershorit

Turizëm | 4 muaj më parë

Temperaturat e larta të ditëve të fundit kanë sjellë lëvizje të shumta pushuesish drejt bregdetit, ku plazhet janë mbushur me vizitorë vendas dhe turistë të huaj. Në shëtitoren dhe vijën bregdetare të qytetit vihet re një atmosferë tipike vere, ndërsa shumë pushues kanë zgjedhur fundjavën e fundit të majit për të kaluar orë relaksi pranë detit.

“Po qëndrojmë në Tiranë dhe sot erdhëm për herë të parë në Durrës për të bërë plazh. Deri tani gjithçka na ka pëlqyer shumë dhe me siguri do të rikthehemi për pushime në Shqipëri,” – u shpreh një prej turistëve italianë.

Një tjetër turiste nga Ukraina tha për RTSH “Jam nga Ukraina. Në Durrës është shumë bukur. Ka plazhe të mrekullueshme dhe njerëz shumë të këndshëm. Është dita ime e parë këtu dhe po kaloj shumë mirë. Do të vij përsëri, sepse më pëlqen Shqipëria dhe prej pesë vitesh e vizitoj për pushime.”

Edhe një turist nga Roma u shpreh “Durrësi është një vend shumë i këndshëm dhe më pëlqen shumë. Kjo është hera e pestë që vij këtu. Për momentin gjithçka duket shumë mirë.”

Operatorët turistikë presin që numri i pushuesve të rritet ndjeshëm gjatë javëve në vijim, sidomos me hyrjen në muajin qershor dhe nisjen e rezervimeve të plota për sezonin veror.

Falë vijës së gjatë bregdetare, afërsisë me Tiranën dhe ofertës së larmishme turistike, Durrësi vijon të mbetet një nga destinacionet më të preferuara për pushimet verore në Shqipëri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme