Korça në prag të sezonit turistik – Mirëpret vizitorë nga e gjithë bota, rriten rezervimet

Turizëm | 4 muaj më parë

Korça po hyn në sezonin turistik veror me një fluks në rritje vizitorësh vendas dhe të huaj, duke konfirmuar edhe një herë statusin e saj si një nga destinacionet më të preferuara turistike në Shqipëri. Çdo ditë, në qytet mbërrijnë turistë nga vende të ndryshme të botës, kryesisht në grupe të organizuara, të interesuar për të njohur historinë, kulturën dhe traditat e zonës.

Vizitorët ndalojnë në pikat më të rëndësishme turistike dhe kulturore të Korçës, duke eksploruar monumentet e kulturës, muzetë, lagjet karakteristike me arkitekturën e veçantë, si dhe objektet e kultit që mbartin vlera të spikatura historike.

Operatorët turistikë shprehen se rezervimet për muajt e verës janë në rritje, ndërsa Korça vijon të tërheqë turistë që kërkojnë një përvojë autentike, të lidhur ngushtë me trashëgiminë kulturore dhe historike të rajonit.

“Për sezonin turistik veror, kërkesat kanë qenë në rritje. Ne gjithashtu kemi kërkesa të vazhdueshme për të rritur dhe për të shtuar mundësitë e akomodimit për grupe turistike. Më specifikisht, ka pasur shumë vizitorë gjermanë dhe nga vendet nordike. Nuk kanë munguar as holandezët dhe spanjollët, të cilët kanë qenë më të shumtë. Bujtina jonë ofron arkitekturën karakteristike të Korçës, e cila është goxha piktoreske dhe njerëzit e vlerësojnë shumë për bukurinë që ka. Po ashtu, nuk mungon as muzika çdo fundjavë, duke e bërë eksperiencën e vizitorëve edhe më të veçantë.”, u shpreh Klaus Pronjari, Operator Turistik.

Eriketa Koçollari, Operatore Turistike, theksoi  “Mund të themi që këtë vit kemi pasur një risi, duke u shtuar numri i klientëve që vijnë prej Suedisë dhe Norvegjisë për të vizituar Korçën. Ata kanë një kulturë pak të ndryshme nga e jona, gjë që i bën edhe më të interesuar për të vizituar atraksionet tona, për të parë muzeumet dhe për të shijuar gastronominë karakteristike të zonës. Me sa duket, ata japin një rivju të mirë njëri pas tjetrit dhe për këtë arsye kemi shumë vizitorë që rikthehen në Korçë vit pas viti. Ky është një tregues i qartë se turizmi ynë po fiton besim dhe po krijon një traditë të re mikpritjeje për vizitorët nordikë.”

Në prag të sezonit, qyteti paraqitet i përgatitur për të mirëpritur një numër edhe më të madh vizitorësh gjatë muajve në vijim.

Gazetare: G. Manushi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme