Ngricat e majit dëmtojnë drufrutorët, specialistët: Fermerët të mos ndërpresin trajtimet
Temperaturat e pazakonta për muajin maj, që në disa raste kanë zbritur edhe nën 0 gradë, kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në sektorin e drufrutoreve në juglindje të vendit. Megjithatë, specialistët e pemëtarisë theksojnë se pavarësisht dëmeve të shkaktuara nga temperaturat e ulëta, fermerët duhet të vijojnë normalisht procesin e spërkatjeve dhe trajtimeve në pemëtore. Sipas tyre, trajtimet janë të domosdoshme për të mbrojtur pemët nga sëmundjet dhe për të garantuar zhvillimin e shëndetshëm të kulturave për sezonin e ardhshëm.
“Në disa pemëtore kemi prodhim pothuajse të dëmtuar totalisht, por edhe në disa pemtore kemi pak prodhim. Unë do të thoja që trajtimet kimike në këto pemtore duhet të vazhdojnë pasi ne do ta mbrojmë mollën nga sëmundjet dhe dëmtuesit, pra pjesën fitosanitare, sepse ne këto do t’i kemi të trashëguara vitin pasardhës nëse do t’i ndalojmë trajtimet kimike, do të kemi një zhvillim të ngadalshëm të bimës.
Në këtë periudhë janë trajtime intensive që bëhen pemëtore në vegjetacion me alterim preparatesh kundër sëmundjeve dhe dëmtuesve”, tha Nevjon Telha, Specialist i sektorit të pemtarisë, QTTB.
Telha këshillon fermerët të ndjekin vazhdimisht informacionet dhe sinjalizimet e dhëna nga qendrat e prognozë-sinjalizimit, në mënyrë që të njihen me momentet kur paraqitet rreziku për shfaqjen e sëmundjeve apo dëmtuesve.
“Në disa zona kemi prodhim të kënaqshëm dhe trajtimet janë fokusuar mbi bazë të monitorimit të prognozë sinjalizimit që neve dhe japim këshilla në faqen e qendrës së transferim të teknologjive bujqësore QTTB-së dhe të gjithë fermerët duhet ta ndjekin si faqe dhe të shikojnë grafikët e monitorimit përsa i përket trajtimeve preventive parandaluese në mënyrë që t’i paraprimë infeksioneve të mundshme në pemtore dhe kjo është plotësisht e zgjidhshme”, tha Telha.
Janë 4 qendra të prognozë-sinjalizimit në pikat potenciale të prodhimit të mollës, në fshatrat Mollaj, Zvirinë, Progër si edhe tek ambjentet e Agjensisë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor në Korcë.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





