Salla: “Ylli” do të bashkëbisedojë shqip me fermerët. Synojmë një bujqësi më konkurruese, më transparente dhe më pranë standardeve të BE-së

Bujqësi | 4 muaj më parë

Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, deklaroi se prezantimi i asistentit të parë digjital për fermerët shqiptarë, të quajtur “Ylli”, përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt modernizimit afatgjatë të sektorit bujqësor dhe transformimit të tij përmes teknologjisë dhe inteligjencës artificiale.

Gjatë prezantimit të platformës së re, ministri theksoi se vizioni “Shqipëria 2030” nuk është më vetëm një objektiv strategjik, por një program konkret transformimi që synon ta bëjë bujqësinë shqiptare më konkurruese, më të formalizuar, më transparente dhe më të integruar me standardet e Bashkimit Evropian.

“Shqipëria po hyn në një fazë të re zhvillimi, ku sektori bujqësor do të mbështetet gjithnjë e më shumë te teknologjia dhe përdorimi në kohë reale i të dhënave të fermerëve në parcela. Sot bujqësia po përballet me sfida reale dhe të pakthyeshme. Ndryshimet klimatike ndikojnë drejtpërdrejt në prodhim, kostot po rriten, konkurrenca po bëhet gjithnjë e më e fortë, fragmentarizimi i parcelave mbetet pengesë, ndërsa standardet europiane kërkojnë më shumë cilësi. Për t’u përballur me këto sfida, transformimi digjital është një domosdoshmëri”, u shpreh ministri.

Salla nënvizoi se fermeri shqiptar do të jetë në qendër të këtij transformimi, duke përfituar më shumë akses në informacion dhe shërbime që lidhen me aktivitetin e tij të përditshëm.

Sipas tij, përmes portalit të ri digjital fermerët do të kenë mundësi të aplikojnë online për skemat kombëtare të mbështetjes, të aksesojnë informacione agronomike mbi përdorimin e pesticideve, plehrave kimike dhe ujitjes, si dhe të monitorojnë në kohë reale të dhëna mbi parcelat, temperaturat dhe intensitetin e reshjeve.

Ministri theksoi se elementi më inovativ i platformës është asistenti digjital “Ylli”, i cili do të shërbejë si këshilltar virtual për çdo fermer shqiptar.

“Sot po prezantojmë asistentin e çdo fermeri, një element të rëndësishëm të këtij portali që e kemi quajtur ‘Ylli’. Ai është asistenti i parë digjital i fermerit shqiptar, i bazuar në inteligjencën artificiale. ‘Ylli’ është gjithmonë gati për të ofruar asistencë të përhershme dhe në kohë reale. Fermerët mund ta pyesin, të shkruajnë dhe të bashkëbisedojnë për problemet që hasin, ndërsa përgjigjet do të jepen menjëherë dhe në gjuhën shqipe”, deklaroi Salla.

Ai shtoi se platforma do të ofrojë gjithashtu informacion të përditësuar mbi çmimet e tregjeve bujqësore, duke ndihmuar fermerët të marrin vendime më të informuara për prodhimin dhe tregtimin e produkteve të tyre.

“Ky transformim nuk do të jetë i izoluar. Ne do të publikojmë në kohë reale çmimet e tregjeve, informacion mbi produktet që fermerët kanë nevojë dhe do të krijojmë mundësi komunikimi, orientimi dhe shkëmbimi informacioni në rang kombëtar”, tha ministri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme