Subvencionet bujqësore, mbi 3800 aplikime. Interes i lartë, por kriteret përjashtojnë shumë fermerë
Mbi 3800 fermerë nga qarqet Fier, Vlorë dhe Gjirokastër kanë aplikuar në 10 ditët e para për Skemën Mbështetëse të Bujqësisë 2026. Vetëm në Fier numërohen rreth 1700 aplikime. Mbështetja për sipërfaqen dhe skema e naftës mbeten më të kërkuarat, ndërsa kushti i minimumit 3 hektarë tokë ka lënë jashtë një pjesë të fermerëve me prona të copëzuara.
“Erdha për aplikimin e naftës dhe më thanë se duhen 3 ha tokë”, u shpreh një fermer.
“Unë po aplikoj për skemën e ullishtës dhe nuk i plotësoj 3 ha”, tha një fermer tjetër.
Sistemi online ka funksionuar normalisht dhe aplikimet regjistrohen në kohë reale. Për herë të parë, skema përfshin mbështetje për mbarështimin e dosave dhe për të rinjtë nën 30 vjeç, deri në 1 milion lekë, si edhe investime për mekanikë bujqësore dhe stane.
“Interesi më i madh është ai për sipërfaqe e cila në një farë mënyre ka zëvendësuar skemën e naftës, më pas janë aplikimet për gjedhin, për të imtat, bleta”, tha Ferdinant Shani, Drejtor, AREB Lushnjë.
Pas mbylljes së aplikimeve, dosjet do të verifikohen në dokumentacion dhe në terren. Skema qëndron e hapur deri në fund të qershorit dhe përfshin 9 masa direkte dhe 3 masa investimi për zhvillimin e fermave bujqësore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





