Shkolla ”22 Tetori” me standarde moderne, Rama: Është konceptuar edhe si qendër komunitare për qytetin e Beratit

Arsim | 4 muaj më parë

Shkolla 9-vjeçare “22 Tetori” në Berat ka përfunduar rikonstruksionin dhe është tashmë gati të mirëpresë rreth 500 nxënës në një mjedis modern, dinjitoz dhe plotësisht funksional.

Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë pamjet e godinës së re, duke e cilësuar jo vetëm si një institucion arsimor, por edhe si një qendër komunitare për qytetin.

“Shkolla ‘22 Tetori’ në Berat është gati dhe do të mirëpresë në një hapësirë dinjitoze, moderne dhe funksionale rreth 500 nxënës të arsimit 9-vjeçar. Klasa me standarde bashkëkohore, laboratorë modernë, mjedise ‘smartlab’, si edhe ambiente sportive brenda dhe jashtë shkollës. Më shumë se një godinë e re, shkolla ‘22 Tetori’ është konceptuar si një qendër komunitare për qytetin, me hapësira të dedikuara për artin dhe zejet, ku pas orarit të mësimit mund të bashkohen nxënës, mësues, prindër dhe i gjithë komuniteti.”-shkruan Rama.

Godina e re ka zëvendësuar strukturën ekzistuese dhe ofron standarde bashkëkohore me klasa të pajisura, laboratorë modernë, bibliotekë, sallë shumëfunksionale, dhomë mjeku, hapësira për nxënësit me aftësi ndryshe, palestër dhe ambiente sportive brenda e jashtë shkollës.

Arkitektura e godinës plotëson ansamblin e qendrës së qytetit, duke u harmonizuar me dy sheshet e reja, rrugën e rehabilituar me kalldrëm dhe gjimnazin e ri “Babë Dudë Karbunara”.

Projekti u financua nga qeveria shqiptare, me mbështetje edhe nga Bashkia e Beratit, duke sjellë një standard të ri në arsimin parauniversitar dhe një hapësirë të re komunitare për qytetin.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme