Agronomët nën një ombrellë ligjore: Ministria e Bujqësisë propozon krijimin e “Urdhrit të Agronomit”

Profesioni i agronomit pritet të kalojë në një fazë të re të rregullimit ligjor, duke u përfshirë zyrtarisht në listën e profesioneve të rregulluara në Republikën e Shqipërisë. Nëpërmjet një projektligji të propozuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, synohet krijimi i një strukture të specializuar, e cila do të shërbejë si mekanizëm vetërregullues për këtë sektor.
Sipas relacionit shoqërues të projektaktit, qëllimi kryesor është plotësimi i boshllëkut ligjor që ka karakterizuar deri më tani ushtrimin e profesionit të agronomit. Projektligji synon të vendosë kritere të qarta për ushtrimin e këtij profesioni, duke garantuar standarde profesionale dhe mbrojtje të interesit publik.
Argumentimi i strukturave vendimmarrëse
Në relacionin e nënshkruar nga ministri Andis Salla, theksohet domosdoshmëria e kësaj ndërhyrjeje për rritjen e cilësisë së shërbimeve.
“Parashikimi ligjor për ngritjen dhe funksionimin e këtij mekanizmi synon forcimin e përgjegjësisë profesionale dhe garantimin e interesit publik, në përputhje me praktikat evropiane për profesionet me ndikim të gjerë shoqëror dhe ekonomik,” thuhet në dokument.
Projektligji është hartuar nga Drejtoria e Politikave të Shëndetit të Bimëve, Farërave, Fidanëve dhe Plehërave në bashkëpunim me Drejtorinë Rregullatore dhe të Përputhshmërisë në Bujqësi. Sipas vlerësimeve fillestare, zbatimi i këtij akti nuk pritet të ketë efekte financiare shtesë për buxhetin e shtetit.
Ndryshimi ligjor propozohet përmes një neni të vetëm shtesë në ligjin ekzistues për profesionet e rregulluara. Pas miratimit, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, do të jenë institucionet përgjegjëse për zbatimin e kësaj reforme, e cila synon të shndërrojë agronomine në një profesion më të strukturuar dhe të përgjegjshëm ndaj standardeve bashkëkohore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





