Turet me skaf, preferenca e turistëve në Sarandë, në zbulim të bukurive të bregdetit të jugut
Grupet e turistëve që vizitojnë Sarandën po zgjedhin gjithnjë e më shumë të eksplorojnë bregdetin përmes tureve me skafe turistike. Kjo mënyrë udhëtimi u jep mundësinë vizitorëve të zbulojnë nga afër bukuritë natyrore dhe plazhet e fshehura të rivierës shqiptare.
“Jemi këtu për pesë ditë. Në fakt, ardhja në Sarandë ishte një ide spontane për ne, por deri tani gjithçka që kemi parë na ka pëlqyer shumë. Jam vërtet e mahnitur nga bukuria e plazheve dhe pastërtia e ujit. Nuk e kisha imagjinuar që do të gjeja vende kaq të paprekura dhe kaq të bukura”, tha një prej turisteve.
“Ne kemi mbërritur dje dhe do të qëndrojmë edhe katër ditë të tjera. Sot eksploruam pak Sarandën. Kjo ishte një nga eksperiencat më të veçanta të pushimeve tona. Lundrimi me skaf na dha mundësinë të shohim vende që nuk mund të arrihen lehtësisht nga toka”, u shpreh një tjetër turist.
Gjatë lundrimit, ata vizitojnë disa prej zonave më të bukura të Rivierës Shqiptare, duke ndaluar në gjire të vegjël me ujëra të kristalta dhe plazhe të paprekura nga zhvillimi masiv turistik.
“Kjo ishte hera e parë që bënim një guidë të tillë me skaf. Do ta përsërisnim me shumë kënaqësi, ndoshta edhe në vende të tjera. Vendet që pamë sot ishin vërtet shumë të bukura dhe na lanë mbresa të veçanta”, deklaroi turistja.
“Më pëlqen shumë Saranda dhe po kalojmë një kohë të mrekullueshme këtu. Njerëzit janë tepër të dashur dhe mikpritës. Personalisht më pëlqen shumë ushqimi dhe kultura shqiptare. Është vërtet një vend i bukur dhe do të doja të kthehesha sërish”, theksoi turisti tjetër.
Turistët shprehen të mahnitur nga ujërat e kristalta, natyra e paprekur dhe peizazhet mbresëlënëse që ofron Riviera Shqiptare. Për ta, kjo eksperiencë është një mundësi e veçantë për të përjetuar bukuritë e Shqipërisë nga një këndvështrim ndryshe dhe për të krijuar kujtime të paharrueshme gjatë pushimeve të tyre.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





