Skemat mbështetëse për bujqësinë, në Malësinë e Madhe problem mos certifikimi i tokës bujqësore
Mungesa e dokumentacionit për tokën bujqësore vijon të mbetet një pengesë e rëndësishme për shumë fermerë në Malësinë e Madhe, për të përfituar subvencione nga skemat mbështetëse të qeverisë për sektorin e bujqësisë.
Drejtues të Bashkisë bëjnë të ditur se po u vihet në ndihmë fermerëve nga strukturat vendore për plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm.
“Certifikimi i tokave me të cilat akoma kemi probleme dhe ndoshta ky është një ndër penalizimet kryesore që mund të kenë fermerët dhe që mund të hezitojnë për të aplikuar në sistemet të shpallura nga AZHBR dhe ministria e Bujqësie”, u shpreh Sytki Ndrecaj, Zëvendëskryetar i Bashkisë Malësi e Madhe.
Malësia e Madhe njihet si një nga zonat më të rëndësishme në vend për kultivimin e bimëve medicinale dhe aromatike. Megjithatë, gjatë viteve të fundit, mungesa e tregut dhe çmimet e pafavorshme të grumbullimit kanë bërë që të ndryshohet orientimin e prodhimit. Gjithnjë e më shumë fermerë po i drejtohen kultivimit të duhanit.
“Duke pasur probleme mbi tregun e bimëve aromatiko-medicinale, fermerët po adresohen edhe tek duhani. Duhani ka qenë një ndër kulturat e hershme që është kultivuar në territorin e bashkisë Malësi e Madhe”, tha ai.
Pavarësisht potencialit të madh bujqësor, një tjetër sfidat serioze me të cilat përballet sot Malësia e Madhe mbetet mungesa e fuqisë punëtore. Emigracioni dhe largimi i të rinjve nga zonat rurale kanë krijuar vështirësi për fermerët në sigurimin e punonjësve sezonalë.
Gazetar: A. Hoti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





