“Eqrem Çabej” forcon lidhjet akademike, 12 studentë nga Turqia për një vizitë disaditore në Gjirokastër

Arsim | 4 muaj më parë

Universiteti “Eqrem Çabej” Gjirokastër mirëpriti një grup prej 12 studentësh nga Universiteti “Mehmet Bey Karamanoglu” i Turqisë, në kuadër të një vizite studimore katër ditore në qytetin e Gjirokastrës.

Me këtë rast u zhvillua një takim me Rektorin e Universitetit “Eqrem Çabej”, Prof. Dr. Jaho Cana, ku në qendër të diskutimeve ishte forcimi i bashkëpunimit ndëruniversitar, shkëmbimi i eksperiencave akademike, si në nivel stafi ashtu edhe në nivel studentor, si dhe zgjerimi i mundësive të bashkëpunimit mes institucioneve të arsimit të lartë të Shqipërisë dhe Turqisë.

“Unë përfaqësoj zyrën e koordinimit dhe marrëdhënieve me jashtë, qëllimi i kësaj zyre është që ne të mbajmë bashkëpunimet ekzistuese dhe të zhvillojmë të reja, për studentët është hera e parë në Shqipëri dhe Gjirokastër”, u shpreh Prof. Asoc. Dr. Umut Çil, Drejtues i Zyrës së Marrëdhënieve me Jashtë.

Kjo vizitë përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve akademike dhe kulturore mes dy vendeve, duke krijuar ura të reja bashkëpunimi dhe mirëkuptimi mes të rinjve shqiptarë dhe turq.

“Do të na pëlqente të krijonim ura miqësie dhe bashkëpunimi me studentët shqiptar”, u shpreh një student turk.

‘Jemi me fat që ndodhemi këtu dhe këto ditë do të mësojmë më shumë për kulturën dhe traditat shqiptare”, tha një studente tjetër. 

Hapi i parë i bashkëpunimit mes dy universiteteve u shënua afro një vit më parë me organizimin e Kongresit të  Kërkimeve Shkencore dhe Akademike, i cili solli në qytetin e gurtë  studiues akademikë e kërkues shkencorë nga më shumë 15 vende të botës si Turqia, Polonia, Izraeli, Kameruni, Nigeria, Tajvani, Maqedonia e Veriut, Kosova etj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme