Riti i kafes në gur, tërheqës për turistët në Gjirokastër

Turizëm | 4 muaj më parë

Riti i përgatitjes së kafes tradicionale të gurit tashmë është një prej destinacioneve tërheqëse për turistët që vizitojnë Gjirokastrën. Artizania Lubjana Baho, në një prej rrugëve të kalldrëmta të Pazarit karakteristik ka improvizuar këndin e mikpritjes gjirokastrite ku i njeh turistët me këtë traditë të veçantë dhe iu demostron disa prej elementëve të këtij riti si: pjekja e kafes në qebap dhe më pas shtypja në gur.

“Sot e menduam që miqtë të cilët kanë ardhur nga vendet, trojet jashtë Shqipërisë t’i mirëpresim me një moment të traditës gjirokastrite siç është kafeja në gurë. Kjo traditë nuk ka të bëjë thjesht me shijimin e një filxhan kafeje apo duke parë të parët se si piqet kafja apo si shtypet në gurë, por kryesore është mënyra se si i mirëpresim ne miqtë tanë”, deklaroi artizania Baho.

Kënaqësi e veçantë e vizitorëve është se ata shijojnë filxhanin e kafes së shtypur në gur së bashku me elementë të tjerë të mikpritjes tradicionale.

“Është një kombinim shumë i bukur mes Ulqinit dhe Gjirokastrës. Kafe në gurë dhe në rërë që prezanton dy kafe shumë interesante të cilat i përshtaten edhe Ulqinit edhe Gjirokastrës”, tha një prej vizitorëve.

Nëpërmjet ndalesës në këndin e mikpritjes vizitorët prekin nga afër dhe shijojnë ritin aq të njohur të kafes së gurit të trashëguar në breza në familjet gjirokastrite.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme