Diplomatët promovojnë veriun e Shqipërisë, vizitë në peizazhet e Malësisë së Madhe

Turizëm | 3 muaj më parë

Larg agjendave zyrtare dhe takimeve të përditshme, trupi diplomatik i akredituar në Tiranë ka zgjedhur këtë fundjavë peizazhet mahnitëse të Malësisë së Madhe.

Ndalesa e parë ishte në Leqet e Hotit, një prej pikave më panoramike të veriut, ku diplomatët u pritën nga kryetari i Bashkisë së Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj.

Më pas, delegacioni vijoi drejt Tamarës, zemra turistike e Kelmendit, ku mikpritja tradicionale u shoqërua me muzikë, valle dhe produkte tipike të zonës.

“Vijnë trupa diplomatike është një gjë shumë e rëndësishme, është një avantazh i madh tek njohja e Malësisë së Madhe në ato vende ku njihet pak”, u shpreh Tonin Marinaj, Kryetar i Bashkisë Malësi e Madhe.

Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino, tha se aktivitete të tilla synojnë të prezantojnë potencialet turistike, kulturore dhe natyrore të Shqipërisë përmes vetë përfaqësuesve diplomatikë.

“Mendoj se është një rast shumë i mirë edhe për ambasadorët për ta parë vetë dhe për ta prekur vetë këtë kulturë dhe traditë tonën këtu”, tha Megi Fino, Zëvendësministre për Evropën e Punët e Jashtme.

Ndërsa diplomatët shijuan bukuritë e Alpeve  ata vizituan edhe panairin e produkteve vendase, ku Ambasadori italian, Marko Alberti, nuk ngurroi të blinte.

“Është hera e parë, por jo e fundit, e shumë të tjerave që do të pëlqente të rikthehesha edhe për udhëtim me biçikletë për të zbuluar këto vende fantastike. Bën përshtypje mikpritja e ngrohtë, një komunitet që na priti me krah hapur. Jemi shumë të lumtur”, u shpreh Ambasador i Italisë në Shqipëri Marco Alberti.

Pas Tamarës, turi vijon drejt Lëpushës dhe Razmës, dy prej destinacioneve më të frekuentuara të turizmit malor në veri të vendit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme