Projekti për banjat termale, Agjencia e Zonave të Mbrojtura: Ndërhyrjet në Bënja po bëhen në harmoni me natyrën

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) ka bërë me dije përmes një njoftimi zyrtar se po vijon zbatimi i projektit për rehabilitimin dhe përmirësimin e infrastrukturës në zonën e Bënjës. Institucioni ka sqaruar gjithashtu ecurinë e punimeve pas disa materialeve të publikuara së fundmi mbi gjendjen e këtij destinacioni.
“Në kuadër të projektit “Bënja – Destinacion Ndërkombëtar Turistik”, vijojnë punimet për rehabilitimin e zonës, përmirësimin e infrastrukturës turistike dhe organizimin e shërbimeve për vizitorët, duke ruajtur dhe promovuar vlerat e saj unike natyrore. Është e rëndësishme të theksohet se zona ndodhet aktualisht në proces rehabilitimi dhe punimet nuk kanë përfunduar ende.”, thuhet
Sipas AKZM-së, pamjet që qarkullojnë tregojnë vetëm një fazë transitore të projektit dhe nuk përfaqësojnë projektin e përfunduar.
“Për këtë arsye, pamje të caktuara të publikuara së fundmi pasqyrojnë momente të përkohshme të procesit të ndërhyrjeve dhe jo gjendjen përfundimtare që do të marrë destinacioni pas përfundimit të projektit.”, thuhet nw njoftim.
Në njoftim paraqiten edhe të dhënat statistikore të frekuentimit për vitin e kaluar, të cilat konfirmojnë se fluksi i turistëve ka vijuar pavarësisht kantierit të hapur të punimeve në ambientet e banjave termale.
“Interesi i lartë për Bënjën mbetet i pandryshuar edhe gjatë zbatimit të projektit. Vetëm gjatë vitit 2025, zona është vizituar nga 103,761 vizitorë vendas dhe të huaj, një tregues i qartë i vlerave të jashtëzakonshme që ofron ky destinacion, por edhe i faktit se ndërhyrjet po realizohen në harmoni me natyrën dhe pa cenuar eksperiencën e vizitorëve, të cilët vazhdojnë të frekuentojnë banjat termale dhe atraksionet e zonës.”, sqaron AKZM.
Agjencia specifikon se po ndjek nga afër zbatimin e standardeve mjedisore për të siguruar që produkti final të jetë në përputhje me kriteret e turizmit të qëndrueshëm.
“Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura vijon të monitorojë nga afër punimet për të garantuar ruajtjen e vlerave natyrore të Bënjës dhe zhvillimin e saj si një destinacion model të turizmit të qëndrueshëm. Ndërkohë, Bënja u ofron vizitorëve vendas dhe të huaj një përvojë edhe më cilësore, duke ndërthurur në mënyrë harmonike pasuritë natyrore, historinë, peizazhin dhe standardet e turizmit të qëndrueshëm.“ , mbyllet njoftimi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





