Gonxhja: Sezoni veror në Shqipëri nis me rekorde turistësh dhe plazhe publike të reja

Turizëm | 3 muaj më parë

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka deklaruar se sezoni turistik veror 2026 ka filluar me ritme të larta, duke shënuar numra rekord vizitorësh të huaj në Shqipëri.

Në një deklaratë pas mbledhjes së qeverisë, ministri Gonxhja theksoi se një nga risitë kryesore të këtij sezoni është futja e një tipologjie të re plazhesh publike, të menaxhuara nga bashkitë.

“Sezoni veror ka nisur shumë mbarë sa i takon vizitorëve të huaj. Kemi një numër shumë të lartë vizitorësh, peshuesish, turistësh e tranzituesish”, tha ai.

Sipas ministrit, krahas plazheve plotësisht të lira – ku qytetarët mund të pushojnë pa pagesë – tashmë funksionojnë edhe plazhe publike të administruara nga njësitë e vetëqeverisjes vendore.

Ai theksoi se këto plazhe ofrojnë çadra, shezlongë, shërbime higjieno-sanitare dhe infrastrukturë të përmirësuar, kundrejt një tarife të caktuar.

“Kemi bërë të mundur që krahas plazhit të lirë, pa asgjë, ku mund të pushojë kushdo pa pagesë, të kemi edhe plazhe që disa bashki i kanë vendosur, me të gjitha shërbimet”, sqaroi Gonxhja.

Tarifat në këto plazhe publike variojnë sipas bashkisë dhe karakteristikave të zonës, duke arritur deri në 400, 700 ose 1000 lekë.

“Kemi një risi sivjet sa i takon menaxhimit të plazhit, për të bërë të mundur që të kemi një rregullator në treg sa i takon çmimeve dhe tarifave dhe duke shtuar një tipologji të re që është tipologjia e plazheve publike të menaxhuara nga njësitë e vetëqeverisje vendore. Kemi bërë të mundur që krahas plazhit të lirë, pa asgjë ku mund të pushojë kushdo pa asnjë pagesë dhe pengesë, kemi dhe topologjinë e plazheve që disa bashki i kanë vendosur tashmë, që kanë të gjitha shërbimet, çadra dhe shezlongë, kanë edhe një shërbim po themi më të zgjeruar hidro-sanitar edhe nga pikëpamja e higjienës, i cili në disa prej bashkive është tarifuar me disa prej tarifave që kanë tavane. Për shembull në disa bashki mund të jetë 400 lekë, në disa 700 lekë dhe në disa 1000 lekë. Kjo është bërë në varësi të llojit të plazheve dhe raportin e madhësisë së plazheve me numrin e pushuesve”, tha Gonxhja.

Ministri tha se kjo skemë ka krijuar një “rregullator në treg” për çmimet dhe ka detyruar operatorët privatë të mbajnë tarifa konkurruese.

“Tipologjitë e plazheve publike të menaxhuara, kanë bërë të mundur që edhe plazhet private të ruajnë tashmë në çmimet e tyre këto tavane sepse e kanë të konkurrueshme ofertën e tyre nga këto plazhe që menaxhohen nga bashkitë. Pra edhe një herë rritet aksesi i publikut, rritet cilësia dhe garantohet për publikun për çdo xhep për çdo qytetar mundësia për të pasur një akses shumë më ekonomik”, deklaroi ai.

Ministri Gonxhja u ndal edhe te çështja e sigurisë në plazhe, duke bërë thirrje për kujdes të shtuar pas disa incidenteve fatale të regjistruara gjatë këtij sezoni.

Ai u kërkoi prindërve dhe kujdestarëve të frekuentojnë vetëm plazhe të mbikëqyrura nga vrojtues dhe të pajisura me sinjalistikë të qartë.

“Prindërit dhe të gjithë ata që janë përgjegjës për fëmijët duhet të bëjnë kujdes dhe të frekuentojnë plazhe aty ku janë të vrojtuara dhe të sinjalizuara”, theksoi ministri.

Ai shtoi se bashkitë kanë detyrimin të vendosin sinjalistikë në zonat pa vrojtues, ndërsa qytetarët duhet të tregojnë kujdes të veçantë në zonat krejtësisht natyrore dhe të pamenaxhuara, ku nuk ofrohen shërbime sigurie.

“Bashkitë kanë detyrimin që në të gjitha zonat ku nuk ka vrojtues të ketë sinjalistikën e cila vendoset kur këto janë stacione plazhi, natyrisht që bashkitë nuk mund të mbajnë përgjegjësi për zona që janë krejtësisht natyrore, apo pa shërbim. Vetë qytetarët duhet ta kuptojnë që aty ku është e sinjalizuar është zonë plazhi dhe aty ku është e sinjalizuar ka dhe specifikën se çfarë garantohet. Në çdo stacion plazhi sinjalistika është shumë e rëndësishme që qytetarët duhet ta kenë parasysh”, nënvizoi  Gonxhja.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme