Labova e Kryqit – Historia, natyra dhe mikpritja tërheqin vizitorët
Zonat rurale të Libohovës po kthehen në një nga destinacionet më të preferuara për turistët gjatë sezonit veror. Mes tyre spikat fshati Labovë e Kryqit, i cili tërheq çdo ditë vizitorë vendas dhe të huaj falë historisë së pasur, natyrës së paprekur dhe mikpritjes karakteristike të banorëve.
Peizazhi, qetësia dhe vlerat kulturore e bëjnë këtë fshat një ndalesë të rëndësishme për këdo që viziton jugun e Shqipërisë.
“Po udhëtojmë në jug të Shqipërisë dhe, pasi vizituam Gjirokastrën, vendosëm të vinim edhe në Labovë të Kryqit. Kishim dëgjuar se është një fshat me shumë histori dhe bukuri natyrore. Sapo mbërritëm, u mahnitëm nga peizazhi dhe qetësia që ofron ky vend. Është një destinacion shumë i veçantë dhe jemi të lumtur që e vizituam.”
“Ne preferojmë të vizitojmë fshatra tradicionalë, sepse aty mund të njohim më mirë kulturën dhe jetën e një vendi. Labova e Kryqit na la një përshtypje shumë të mirë. Natyra është e mrekullueshme, gjithçka është e ruajtur me kujdes dhe mikpritja e banorëve na bëri të ndihemi menjëherë si në shtëpi.”, thanë disa turistë të huaj.
Vizitorët shprehen se Labova e Kryqit ofron një përvojë ndryshe nga destinacionet e zakonshme turistike. Ata vizitojnë kishën e njohur të fshatit, shijojnë bukuritë natyrore, ecin në rrugicat karakteristike dhe njihen nga afër me traditat e zonës. Banorët i presin turistët me mikpritje, duke u treguar historinë e fshatit dhe duke i njohur me gatimet tradicionale e mënyrën e jetesës.
Rritja e numrit të vizitorëve po sjell më shumë gjallëri dhe po krijon mundësi të reja për zhvillimin e turizmit rural.
“Vizita në Labovë të Kryqit ishte një përvojë shumë e bukur. Vizituam kishën, shëtitëm nëpër rrugicat e fshatit dhe mësuam më shumë për historinë e këtij vendi. Më pëlqeu fakti që gjithçka ruan autenticitetin e saj dhe ndihesh shumë pranë traditës.”
“Banorët na pritën me shumë dashamirësi dhe na treguan për jetën e tyre të përditshme, historinë dhe traditat e zonës. Kjo ishte pjesa më e bukur e vizitës sonë, sepse nuk pamë vetëm një vend të bukur, por njohëm edhe njerëzit dhe kulturën e tyre. Është një eksperiencë që do ta kujtojmë për shumë kohë.”, thanë turistët.
Turistët e huaj tregojnë se gjatë udhëtimit të tyre kanë vizituar disa nga qytetet më të njohura të Shqipërisë. Pas ndalesës në Gjirokastër, ata zgjedhin të vizitojnë edhe Libohovën, duke i kushtuar një vëmendje të veçantë zonave rurale dhe veçanërisht Labovës së Kryqit.
Ata vlerësojnë kombinimin e historisë, natyrës dhe mikpritjes së banorëve, ndërsa shprehen se këto fshatra përfaqësojnë Shqipërinë autentike dhe janë ndër vendet që do t’ua rekomandonin edhe turistëve të tjerë.
Gazetare: B.Pëllumbi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





