Universiteti “Fan S. Noli” ngjitet me tre vende në renditjen e EduRank
Në renditjen e publikuar së fundi nga platforma EduRank, Universiteti “Fan S. Noli” renditet në vendin e 16-të ndër 30 universitetet më të mira në Shqipëri. Universiteti i Korçës ngjitet me tre vende në këtë renditje, duke bërë edhe progresin më të lartë mes universiteteve shqiptare që u përmirësuan më tepër gjatë periudhës 2024-2026.
“Ne dalim universiteti që ka fituar më shumë vende në nivel kombëtar, duke lënë pas universitete të shquara që janë të famshme për reputacionin dhe ndërkombëtarizimin e tyre”, tha Prof. Dr. Lorenc Ekonomi, Rektor i Universitetit Fan Noli.
Edhe në renditjen botërore Universiteti “Fan S. Noli” ka përmirësuar pozicionin e tij me rreth 500 vende.
“Këtë vit ne fillojmë ndërkombëtarizimin. Kemi doktoraturën në Shkencat Ballkanike, me diplomë të përbashkët me Universitetin e Tiranës. Fillojmë edhe masterin shkencor në Shkencat Kompjuterike, me Universitetin e Barit, me diplomë duale. Në këtë mënyrë, duke rritur ndërkombëtarizimin, kemi fituar shumë projekte, ku do të ketë produkte dhe artikuj të nivelit të lartë, me të cilat llogaritet ky indeks. Në rang botëror mund të kemi fituar rreth 500 vende”, tha ai.
Renditja e platformës EduRank bazohet në një analizë gjithëpërfshirëse të treguesve të performancës akademike, si publikimet shkencore, citimet akademike, ndikimi i alumnëve dhe prezenca akademike e Universitetit, elemente që pasqyrojnë cilësinë dhe ndikimin konkret të një institucioni në komunitetin shkencor.
Gazetare: K. Koçi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





