Malësia e Madhe, turizmi në rritje, sfida e sezonit, mungesa e fuqisë punëtore

Turizëm | 3 muaj më parë

Nga majat e Alpeve Shqiptare deri në brigjet e Liqenit të Shkodrës, Malësia e Madhe po fiton çdo vit një vend gjithnjë e më të rëndësishëm në hartën turistike të vendit.

Ndërkohë, rritja e fluksit turistik nxjerr në pah edhe një nga sfidat kryesore të sezonit veror: mungesën e fuqisë punëtore në sektorin e turizmit.

Sipas autoriteteve vendore, bizneset po e përballojnë këtë situatë kryesisht përmes angazhimit të sipërmarrjeve familjare, të cilat vijojnë të mbajnë peshën kryesore të shërbimeve turistike.

“Një ndër problematikat që ne, ose sfidat do të thoja, është edhe pjesa që realisht e përjetojnë bizneset: pjesa e punonjësve. Sigurisht nuk është e lehtë të gjesh punonjës, por deri diku e kanë adresuar mjaft mirë këtë problematikë, sepse po punojnë kryesisht me familje, pra me biznese familjare”, shprehet Eristian Smajlaj, përgjegjësi i Sektorit të Turizmit, Bashkia Malësi e Madhe

Sipas drejtuesve të sektorit të turizmit në Bashkinë Malësi e Madhe, interesi për këtë zonë është në rritje të vazhdueshme. Turistët po e zgjedhin atë jo vetëm për vizita fundjavore, por edhe për qëndrime disaditore, duke eksploruar natyrën, traditat dhe gastronominë karakteristike të zonës.

“Ne i ftojmë turistët që zgjedhin Malësinë e Madhe, sepse realisht Malësia e Madhe është një zonë shumë e veçantë. Është e veçantë për kulturën që ka, është e veçantë për bukuritë e saj natyrore dhe sigurisht edhe për kulinarinë e saj që është mjaft e veçantë, e pasur me produkte të zonës”, thekson më tej Smnailaj.

Në kuadër të zhvillimit të qëndrueshëm, zgjerimi i kapaciteteve akomoduese, përmirësimi i infrastrukturës turistike dhe mbështetja e investimeve private mbeten ndër prioritetet kryesore të institucioneve vendore, për të sjellë përfitime afatgjata për ekonominë dhe komunitetin lokal.

Gazetar: Marash Mirashi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme