Përmeti në kulmin e sezonit turistik, operatorët kërkojnë më shumë bashkëpunim

Turizëm | 3 muaj më parë

Përmeti vijon të mbetet një nga destinacionet më të preferuara turistike gjatë sezonit veror. Qyteti, i njohur për natyrën e paprekur, mikpritjen, kulinarinë tradicionale dhe atraksionet natyrore, po përjeton një rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve. Çdo ditë, turistë vendas dhe të huaj zgjedhin ta vizitojnë Përmetin, duke i dhënë një tjetër ritëm jetës dhe ekonomisë lokale. Sipas operatorit turistik Vasillaq Nikollari, pjesa më e madhe e turistëve mbërrijnë në Përmet përmes agjencive të organizuara turistike.

“Në përgjithësi tregu standard që ka patur Përmeti përsa i përket turistëve të grupeve franceze, gjermanë, italianw, anglezw është ruajtur në ato parametra që kanë qenë. Pra është një treg i stabilizuar, gjë që flet për konsolidimin e shërbimeve të operatorëve turistik që janë në qytetin e Përmetit”, deklaroi Vasillaq Nikollari, operator turizmi.

Rritja e interesit për Përmetin ka sjellë më shumë aktivitet për strukturat akomoduese, bizneset familjare dhe sektorin e shërbimeve. Megjithatë, sipas Nikollarit, zhvillimi i turizmit nuk duhet të mbështetet vetëm te shtimi i numrit të vizitorëve, por edhe te cilësia e shërbimit dhe bashkëpunimi mes të gjithë aktorëve që operojnë në këtë sektor.

“Ka pasur probleme në fushën e shërbimeve kryesisht nga operatorët e rinj që kanë filluar në treg që ende nuk janë të trajnuar ose me dëshirën për të futur në treg shumë shpejt për të realizuar një normë fitimi kanë bërë të mundur që të ulet niveli i shërbimeve gjë që është reflektuar edhe në opinionet që janë shprehur ose dhe në vlerësimet që kanë në booking apo në websitet e ndryshme personale që kanë”, shtoi Nikollari.

Me fluksin e vizitorëve që pritet të vijojë edhe gjatë javëve në vazhdim, Përmeti konfirmon edhe këtë sezon pozicionin e tij si një prej destinacioneve më tërheqëse turistike në jug të vendit.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme