Sarandë, nën vaditje e gjithë sipërfaqja e mbjellë prej 2 166 hektarësh

Bujqësi | 3 muaj më parë

Në Bashkinë e Sarandës po vijon intensivisht puna për vaditjen e tokave bujqësore, ku një ndër kulturat kryesore mbetet misri. Ky proces konsiderohet thelbësor për mbarëvajtjen e sezonit bujqësor, sidomos gjatë periudhës së verës, kur temperaturat e larta ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e bimëve.

Strukturat përgjegjëse dhe fermerët janë të angazhuar për të siguruar ujitje në kohën e duhur, me qëllim ruajtjen e rendimentit dhe cilësisë së prodhimit.

“Jemi në muajin e katërt të kultivimit të bimës së misrit. Kemi realizuar dy vaditje dhe jemi në pritje të tre vaditjeve të tjera për të përfunduar kultivimin e kësaj kulture. Për t’u theksuar është se sivjet, nga 18 kilometra kanale vaditëse që kemi në të gjithë territorin ku kultivojmë këtë kulturë, janë pastruar të gjitha. Saranda është ndër bashkitë që kultivon mbi 90% të sipërfaqes së punueshme dhe e gjithë kjo sipërfaqe, rreth 216 hektarë, është nën vaditje. Pjesa më e madhe ujitet me rrjedhë të lirë, ndërsa një pjesë tjetër përmes pompave”.

Paralelisht me vaditjen e misrit, fermerët në zonën e Sarandës po punojnë intensivisht edhe me kulturat e tjera bujqësore.

“Kemi edhe kulturat foragjere, kryesisht jonxhën. Rreth 70% e sipërfaqes së mbjellë është me misër, ndërsa 30% me kultura foragjere, të cilat gjithashtu ndodhen në një fazë shumë të mirë zhvillimi“.

Angazhimi i fermerëve është i përditshëm, me synim për të përballuar sfidat e motit dhe për të siguruar një prodhim sa më të qëndrueshëm. Pritshmëritë mbeten pozitive, ndërsa puna në terren vijon me ritme të larta për të garantuar një sezon të suksesshëm bujqësor.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme