Bereqet në fushat e Korçës, 52 kuintalë grurë për hektar, ndikoi dhe teknologjia e përdorur
Korrja e grurit në qarkun e Korçës po vijon me ritme të mira dhe ndodhet në fazën përfundimtare. Deri tani është korrur thuajse e gjithë sipërfaqja e mbjellë në zonat fushore, ndërsa në zonat kodrinore procesi ka arritur në rreth 90 për qind.
Sipas specialistëve të bujqësisë, prodhimi i këtij viti është më i lartë krahasuar me vitin 2025 , me një rritje mesatare prej rreth 350 hektar të mbjella më shumë gjatë 2026.
Edhe rendimenti vlerësohet pozitiv, rreth 52 kuintalë për hektarë veçanërisht tek fermerët që kanë kultivuar sipërfaqe të mëdha dhe kanë zbatuar teknologjitë e rekomanduara të kultivimit.
“Siç e dimë, fusha e Korçës është fusha e dytë më e madhe në Shqipëri dhe normalisht që kemi mbjellje të kulturave bujqësore pothuajse në të gjithë fushën. Një nga kulturat kryesore në fushëkor është edhe gruri që afërsisht shkon në 9.500 hektar për vitin 2026. Duke krahasuar me vitin 2025 ka pasur një rritje për rreth 350 hektar. Rendimenti i grurit sivjet ka qenë i kënaqshëm. Me sa informacion kam dhe me sa komunikim kemi pasur me fermerët potencial të cilët mbjellin sipërfaqe të mëdha të grurit, rendimenti ka qenë i kënaqshëm. Ka qenë rreth 50–52 kuintal për hektar. Vazhdon korrja në ditët që ne flasim, vazhdon korrja e grurit dhe jemi pothuajse në përfundim të korrjes së tij. Ka mbetur vetëm disa zona në zonat kodrinore ku mund të themi që kemi afërsisht 5 deri në 7% të sipërfaqes së mbjellë totale pa korur akoma.” U shpreh VULLNET GJOLLA, Drejtor i AREB Korçë
Procesi i korrjes pritet të përfundojë brenda ditëve në vijim, duke mbyllur një sezon që, sipas të dhënave paraprake, ka sjellë rezultate të kënaqshme për prodhuesit e grurit në qarkun e Korçës.
Gazetare: K. Koçi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





