Qeveria miraton Programit Kombëtar Shumëvjeçar për sektorin e peshkimit dhe akuakulturës, zbardhen rregullat e reja të kampionimit dhe mbledhjes së të dhënave

Bujqësi | 2 muaj më parë

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për zbatimin e Programit Kombëtar Shumëvjeçar për grumbullimin, menaxhimin dhe përdorimin e të dhënave në sektorin e peshkimit, akuakulturës, si dhe për përmbajtjen e programeve të kampionimit të kërkimit shkencor në det. Nisma e propozuar nga Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ngre një kuadër të ri rregullator për monitorimin e stoqeve, ndikimit mjedisor dhe performancës socio-ekonomike të sektorit.

Akti i ri normativ shfuqizon vendimin e vitit 2019 dhe hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”, duke i shtrirë efektet e tij financiare dhe administrative nga 1 janari 2027.

Objektivat dhe fusha e zbatimit të të dhënave

Programi përcakton rregullat për mbledhjen e të dhënave biologjike, mjedisore, teknike dhe socio-ekonomike. Dokumenti saktëson kategoritë e informacionit që do të grumbullohen nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural:

“a) të dhëna biologjike për të gjitha stoqet e zëna ose objekt i zënieve rastësore nga peshkimi tregtar dhe, kur është e përshtatshme, nga peshkimi çlodhës – argëtues

b) të dhëna për vlerësimin e ndikimit të peshkimit në ekosistemin detar të dhëna mbi zëniet rastësore të specieve, jo objekt peshkimi, veçanërisht të specieve të mbrojtura

c) të dhëna për aktivitetin e anijeve të peshkimit, brenda dhe jashtë ujërave territoriale

ç) të dhëna socioekonomike për peshkimin, me qëllim vlerësimin e performancës socioekonomike të sektorit të peshkimit në vend.”

Përpunimi i të gjitha të dhënave personale të mbledhura gjatë këtij procesi do të kryhet në përputhje me ligjin nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.

Planet Kombëtare të Punës dhe roli i vëzhguesve shkencorë

Grumbullimi i të dhënave do të mbështetet mbi Planet Kombëtare të Punës, të cilat do të hartohen nga institucioni përgjegjës dhe do të miratohen me urdhër të ministrit çdo vit deri më 31 dhjetor, pas vlerësimit nga Komiteti për Koordinimin e Kërkimit Shkencor, Teknik dhe Ekonomik (KKKSHTE).

Për të garantuar kampionimin e saktë në terren, vendimi u ngarkon detyrime të drejtpërdrejta kapitenëve të anijeve të peshkimit.

“Kapitenët e anijeve të peshkimit pranojnë në bord vëzhguesit shkencorë dhe bashkëpunojnë me ta për t’u mundësuar kryerjen e detyrave gjatë qëndrimit në bord.”, thuhet në vendim.

Sipas aktit, refuzimi i vëzhguesve lejohet vetëm për arsye të sigurisë detare apo mungesës së hapësirës, rast në të cilin do të përdoren metoda alternative kampionimi.

Ruajtja, transmetimi dhe detyrimet e përdoruesve

Me qëllim mbrojtjen e informacionit dhe kontrollin e cilësisë, të dhënat primare do të ruhen në regjistra elektronikë konfidencialë. Për sa i përket kalimit të informacionit te palët e treta dhe përdoruesit shkencorë, vendimi përcakton rregulla të rrepta aksesi.

Lidhur me përdorimin korrekt të të dhënave, në aktin qeveritar theksohet se përdoruesit shkencorë dhe palët e interesuara duhet:

“a) të përdorin të dhënat vetëm për qëllimin e deklaruar në kërkesën e tyre për informacion

b) të njohin dhe të citojnë në mënyrën e duhur burimet e të dhënave;

c) të jenë përgjegjës për përdorimin korrekt e të përshtatshëm të të dhënave, duke respektuar parimet e etikës shkencore;

dh) të mos transmetojnë të dhënat e kërkuara te palët e treta pa pëlqimin e ministrisë;

e) të mos shesin të dhënat te ndonjë palë e tretë.”

Në rast mosrespektimi të këtyre kushteve, Ministri ka të drejtë të kufizojë apo refuzojë aksesin e mëtejshëm të këtyre subjekteve në bazat e të dhënave. Po ashtu, për mbrojtjen e punës shkencore, institucioni përgjegjës mund të kërkojë shtyrjen e publikimit të të dhënave të detajuara deri në 3 vjet nga data e grumbullimit të tyre.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme