Diploma dyfishe në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Kromidha: Programet u përgjigjen tregut të punës

Arsim | 2 muaj më parë

Maturantët e këtij viti do t’u ofrohen mundësi të reja studimi në fushën e gjuhëve të huaja. Për herë të parë do të ofrohen 6 programe të reja bachelor, dy prej tyre do të jenë me diploma të dyfishta: njëra në Gjuhë dhe Kulturë Italiane në botën dixhitale, tjetra në Italianistikë në tre profile të caktuara (grafika).

Dekanja e këtij fakulteti, Esmeralda Kromidha, sqaron se këto programe i përgjigjen kërkesave të tregut të punës duke lidhur njohuritë gjuhësore me teknologjinë.

 “Pothuajse të gjitha programet janë përshtatur me kërkesat e tregut të punës, por edhe me qasjen ndërkombëtare. Kjo u jep mundësi studentëve të kryejnë periudha përvojash në universitete të huaja, jo vetëm për studentët tanë, por edhe për studentët e huaj që mund të vijnë në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja. Gjithashtu, programet ofrojnë mundësi punësimi dhe njohje të diplomës në vendet e huaja, duke krijuar hapësira reale për integrim në tregun ndërkombëtar të punës.”

Por Fakulteti i Gjuhëve të Huaja ka futur edhe një program profesional 2-vjeçar në Komunikim Shumëgjuhësh në Institucione dhe Ndërmarrje.

 “Ky program profesional u drejtohet të gjithë atyre maturantëve të cilët nuk kanë notën mesatare për të vijuar një program bachelor universitar. Është një program ku ndërthuren shumë mirë aftësitë e komunikimit në gjuhë dhe kultura të huaja me aftësitë digjitale. Ky kombinim u shërben studentëve për t’u përgatitur në fusha të ndryshme të administratës shtetërore publike apo në institucione dhe ndërmarrje të ndryshme, duke krijuar mundësi reale për zhvillim profesional.”

Këtë vit do të ofrohet edhe një program në gjuhën angleze për marrëdhënie me publikun, një program në gjuhën frënge dhe gjuhën e shenjave shqipe, si dhe një program në gjuhën gjermane me profil gjuhë, letërsi dhe qytetërim.

Për programet me diploma të dyfishta, studentët mund të përfitojnë edhe bursa Erasmus, të cilat do t’i mbështesin financiarisht gjatë kryerjes së studimeve në universitetin e huaj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme