Kroma e mollës, pavarësisht rrezikut gjendja fitosanitare e pemëtoreve në Korçë paraqitet e mirë

Bujqësi | 2 muaj më parë

Fermerët e rajonit të Korçës janë njoftuar për një rrezik të zhvillimit të kromës së mollës, një nga sëmundjet më të përhapura të kësaj kulture.

Sipas të dhënave të modelit parashikues RIMpro për stacionet e Dvoranit, Progerit dhe Zvirinës, gjatë periudhës 24-27 korrik janë krijuar kushte të favorshme për zhvillimin e infeksioneve, veçanërisht në gjethet e reja dhe në fruta.

Megjithatë, specialistët e bujqësisë bëjnë të ditur se fermerët kanë kryer në kohë trajtimet e nevojshme, ndaj gjendja fitosanitare e pemëtoreve paraqitet e pastër dhe fruti po zhvillohet normalisht.

“Trajtimet janë bërë në kohë dhe rregullisht. Kryesisht trajtimet intensive janë fokusuar në muajin prill, maj dhe muajin qershor që ka pasur dhe lagështi dhe temperaturat kanë qenë relativisht të favorshme për shfaqjen e kromës, por nga trajtimet që fermerët bëjnë me pompa centrifugale kanë mbajtur në kontroll ë këtë sëmundje. Tani trajtimet janë më të rralla dhe janë fokusuar kryesisht kundër morrit, merimangës dhe breznisë së dytë të krimit të mollës”, u shpreh Nevjon Telha, Specialist i sektorit të pemtarisë, QTTB.

Në këtë fazë të sezonit, kultivarët e hershëm të mollës po i afrohen periudhës së vjeljes. Për këtë arsye, fermerëve u rekomandohet të reduktojnë trajtimet me produkte fitosanitare.

“Trajtimet do vazhdojnë, por intervali i trajtimeve tani është më i reduktuar për shkak se masa pothuajse është plotësuar dhe kemi rritje të frutit. një pjesë të kultivarëve tani, sidomos kultivarët e hershëm fillojnë pjekjen dhe reduktimi i trajtimit në këtë periudhë është i nevojshëm pasi nuk duhet të kemi dhe mbetje të kimikateve ose mbetjeve kimike në frut”, tha ai.

Specialistët këshillojnë gjithashtu vijimin e monitorimit të pemëtoreve, sidomos pas reshjeve, dhe ndërhyrjen vetëm kur është e nevojshme, me qëllim mbrojtjen e prodhimit, garantimin e cilësisë së frutave dhe ofrimin e një produkti të sigurt për konsumatorin.

Gazetare: Geralda Manushi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme