Kritikat për Kupën e Botës, Infantino: Kush ushqeu urrejtjen, humbi emocionet dhe gëzimin

Botërori 2026 | 2 muaj më parë

“Ju ndani, kurse ne bashkojmë”. Ky është një pasazh nga letra e gjatë e hapur e presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, në lidhje me bilancin e Botërorit 2026, i zhvilluar në SHBA, Meksikë dhe Kanada. Ai ka replikuar pas kritikave për organizimin e turneut.

Në mesazhin drejtuar tifozëve, por edhe kritikëve të kompeticionit, Infantino thekson se kush ka ushqyer “urrejtjen dhe zërat e pavërtetë”, ka humbur “emocionet, festimet, të qeshurat, lotët dhe gëzimin” e përjetuar nga miliona njerëz. Numri 1 i FIFA-s nënvizon se Kupa e Botës është ndjekur nga 7 milionë spektatorë nga më shumë se 200 vende në 16 qytetet pritëse, pa regjistruar episode dhune.

“Zero incidente, zero dhunë, vetëm gëzim, lumturi dhe bashkim e solidaritet”, – shkruan Infantino, duke evidentuar rolin e futbollit si instrument i paqes. Ai përmend hyrjen e kombëtares iraniane në SHBA pa incidente e konflikte.

“Futbolli është sinonim i paqes. Nuk ka të bëjë fare me politikën. Futbolli është sinonim bashkimi”, – thekson presidenti i FIFA-s. Infantino fton kritikët “të reflektojnë, të meditojnë e të luten, apo të shohin një ndeshje futbolli. Ishte Kupa e Botës më e jashtëzakonshme e të gjitha kohërave”.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme