Reshjet nuk dëmtuan prodhimet bujqësore, vreshtat mbeten më të rrezikuara nga temperaturat
Reshjet e shiut të ditëve të fundit në Kukës nuk kanë shkaktuar dëmtime në prodhimet bujqësore. Sipas të dhënave të specialistëve të ekstensionit bujqësor, situata në terren paraqitet e qëndrueshme.
Agronomi Sherif Visha bën të ditur se më të ekspozuara ndaj kushteve atmosferike mbeten vreshtat e rrushit.
“Në vreshtat e zonave që janë mbi vadë, siç themi ne, pra ato që nuk vaditen, ndikimi nuk është gjithmonë pozitiv për arsye se proceset fizike të osmozës dhe difuzionit nuk funksionojnë siç duhet. Megjithatë, janë dhënë këshilla për fermerët që të përdorin një preparat të lehtë me bazë bakri. Ky preparat ndihmon bimën të përballojë kushtet e vështira, duke ruajtur cilësinë e prodhimit dhe duke siguruar një mbrojtje më të mirë ndaj faktorëve të jashtëm.”
Sipas specialistëve, kushtet e favorshme klimatike gjatë këtij sezoni kanë ndikuar pozitivisht në rendimentin e pemëve frutore, perimeve dhe grurit.
“Të gjitha kulturat dërfutëtore kanë dhënë prodhim të mirë. Për shembull, kemi pasur rendimente të larta në grurë. Prodhimi ka qenë i kënaqshëm dhe sidomos në zonat e rrafshit ka arritur mbi 40 kintal për hektar. Ky rezultat tregon se kushtet e këtij viti kanë qenë të favorshme dhe fermerët kanë mundur të sigurojnë një rendiment të lartë, duke e udhëhequr prodhimin në nivele shumë të mira.”
Agronomi Visha thekson se rreziku për dëmtime mund të shfaqet nëse ditët në vijim shoqërohen me një rritje të menjëhershme të temperaturave.
“Perimet e dyta, të cilat janë më delikate sepse ndodhen në procesin e rritjes dhe zhvillimit, duhet të mbrohen me kujdes nga dëmtuesit e tokës. Kujdes i veçantë duhet treguar ndaj kalbëzimeve, vruqeve dhe sidomos kalbëzimit të qafës së fidanit, që është një problem i shpeshtë në këtë fazë. Pritet të kemi disa ditë me temperatura të lehta, gjë që do të ndikojë, pak a shumë, në gjendjen dhe zhvillimin e bimës. Ky ndryshim klimatik mund të sjellë lehtësim për rritjen, por kërkon gjithashtu vëmendje të shtuar nga fermerët për të siguruar që kultura të mos dëmtohet.”
Situata do të vijojë të monitorohet nga specialistët, të cilët u bëjnë thirrje fermerëve të ndjekin rekomandimet teknike për mbrojtjen e kulturave bujqësore.
Gazetare: Shkurte Elezaj
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





