Qëlluan me armë në ajër nga jahti dhe tentuan të largohen, policia ndalon 4 persona në Porto Palermo
Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e mbrëmshme në Porto Palermo, ku dyshohet se janë qëlluar të shtëna me armë zjarri nga një mjet lundrues në det. Pas një operacioni ndjekjeje, policia ka ndaluar jahtin në Porto Palermo dhe ka shoqëruar katër personat që ndodheshin në bord, konkretishti: B.Çela, A.Kastrati, P.Gj., dhe L.Haso.
Sipas burimeve policore, mjeti lundrues u lokalizua në pikën e ankorimit në Porto Palermo, ku ndërhynë efektivët e Komisariatit të Policisë Himarë dhe forcat e FNSH-së për shoqërimin e personave që udhëtonin me të. Dyshohet se pikërisht nga ky jaht janë qëlluar të shtënat e raportuara një natë më parë.
Katër personat e shoqëruar kanë mohuar përpara hetuesve të kenë qëlluar me armë zjarri. Ndërkohë, gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin lundrues, policia nuk ka gjetur asnjë armë. Hetuesit dyshojnë se, nëse është përdorur armë zjarri, ajo mund të jetë hedhur në det për të humbur gjurmët.
Për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes pritet ekspertiza balistike, e cila do të ndihmojë në përcaktimin nëse ka pasur të shtëna me armë dhe në identifikimin e provave materiale.
Ngjarja u raportua rreth orës 21:00 të mbrëmjes së djeshme, kur u sinjalizua se nga një jaht që ndodhej në det, përballë zonës së Palasës, ishin dëgjuar të shtëna në ajër.
NJOFTIMI I POLICISË
Himarë/ Në vijim të informacionit të dhënë mbrëmjen e djeshme, ku rreth orës 21:00 është marrë njoftim se, në det, përballë Palasës, dyshohej se ishte qëlluar me armë zjarri në ajër nga një mjet lundrues, ju informojmë se:
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare, Njësia Policore Detare, Delta Forcë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë/Stacionit të Policisë Dhërmi, si dhe grupet e Forcës Kombëtare të Sigurisë (FKS), u vunë në ndjekje të mjetit lundrues nga deti dhe toka, pasi jahti po lëvizte në drejtim të Himarës. Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, u bë e mundur ndalimi i jahtit në det, përballë Himarës, si dhe shoqërimi i tij së bashku me personat që ndodheshin në bord, konkretisht shtetasit B. C., 31 vjeç, L. H., 31 vjeç, A. K., 49 vjeç dhe P. Gj., 60 vjeç.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga Komisariati i Policisë Himarë, nën drejtimin e Prokurorisë, shërbimet e Policisë ushtruan kontroll në ambientet e jahtit dhe ndaj personave që ndodheshin në bord, ku nuk u konstatua asnjë send apo mjet i kundërligjshëm. Nga grupi hetimor vijuan veprimet e mëtejshme procedurale, duke marrë deklarime në cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes, si dhe duke kryer ekspertimet për përcaktimin e faktorëve plotësues të qitjes.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, verifikimin e informacionit të marrë dhe dokumentimin ligjor të këtij rasti. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



