Syri i Kaltër, mrekullia natyrore që po mahnit vizitorët vendas dhe të huaj, destinacioni i preferuar i këtij sezoni veror
Mrekullia natyrore e Syrit të Kaltër po tërheq një numër të lartë turistësh në këtë fillim të muajit gusht. Vizitorë vendas dhe të huaj zgjedhin këtë destinacion për të shijuar freskinë, natyrën e paprekur dhe bukurinë unike që ofron ky monument natyror. Uji kristal i kthjellët dhe ngjyrat mahnitëse krijojnë një pamje mbresëlënëse që i lë pa fjalë të gjithë ata që e vizitojnë.
“Syri i kaltër është një park natyror shumë i bukur. Është kënaqësi të dalësh për shëtitje në natyrë dhe të shohësh ujëra si këta, këto lloj peizazhesh të japin gjithmonë kënaqësi dhe të çlodhin pak mendërisht.”
“Është një natyrë e mrekullueshme, mendoj. Është shumë, shumë e bukur. Ngjyrat janë perfekte dhe mendoj se kjo është diçka ndryshe në gjithë botën. Ndaj vendosëm ta vizitojmë dhe ta shohim nga afër syrin e kaltër.”
“Po, është hera e parë që jemi këtu me bashkëshorten. Kemi ardhur për një udhëtim nga Polonia. Është e jashtëzakonshme, nuk kemi parë kurrë një burim të tillë që shpërthen nga thellësia e tokës. Nuk e mendonim që kishte kaq shumë ujë brenda, i cili në një moment shpërthen kaq shpejt lart. Të gjitha këto mrekulli të natyrës, kanionet, lumenjtë e egër, janë vërtet të jashtëzakonshme, mbi të gjitha mrekulli natyrore”, tha turisti.
Turistët shprehen të impresionuar nga burimi që del nga thellësia e tokës, duke e konsideruar një fenomen të rrallë natyror. Ata theksojnë se përveç bukurisë së Syrit të Kaltër, e gjithë zona përreth ofron një eksperiencë të veçantë me gjelbërimin, ajrin e pastër dhe qetësinë që largon stresin e përditshëm. Shumë prej tyre e cilësojnë Shqipërinë si një vend ende të pazbuluar, me potencial të madh turistik.
“E vërteta është që njerëzit në Shqipëri janë shumë mikpritës. Kudo që kemi shkuar, na kanë trajtuar shumë mirë. Është një vend shumë i ngrohtë dhe mikpritës, duket që jetojnë nga turizmi dhe kanë nevojë për të si mënyrë jetese. Ndërsa ushqimi është shumë i mirë, ndryshe nga ai spanjoll, por gjithsesi ndjek pak dietën mesdhetare dhe, në përgjithësi, është shumë i shijshëm.”, tha turisti.
“Shqipëria është shumë e bukur dhe mendoj se është ende e pazbuluar, ka vende që janë vërtet shumë të rekomandueshme, dhe jashtëzakonisht të bukura. Unë me bashkëshortin tim kryesisht admirojmë këto mrekulli të natyrës, kështu që sa i përket natyrës në Shqipëri, ajo është e mrekullueshme, malet, lumenjtë, kanionet. Mendoj se duhet patjetër të vizitohet sërish Shqipëria sepse nuk mund t’i shohësh të gjitha menjëherë. Është një vend i gjerë, ndaj duhet të rikthehesh përsëri”, tha turisti.
Fluksi i turistëve gjatë kësaj periudhe pritet të rritet edhe më tej, duke ndikuar pozitivisht në ekonominë lokale dhe zhvillimin e turizmit në zonë. Operatorët turistikë dhe bizneset vendase shprehen se interesi për vizitën në Syrin e Kaltër është në rritje të vazhdueshme, duke e kthyer këtë destinacion në një nga pikat më të preferuara të sezonit veror.
Gazetare: B. Pëllumbi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





