Mbrojtja e shëndetit dhe mjedisit, Qeveria prezanton kuadrin e ri rregullator për menaxhimin e asbestit

Aktualitet | 4 muaj më parë

Këshilli i Ministrave ka përgatitur projektvendimin “Për miratimin e rregullave të nevojshme për parandalimin dhe reduktimin e ndotjes së mjedisit nga asbesti”. Dokumenti synon mbrojtjen e shëndetit të njeriut dhe mjedisit nëpërmjet përcaktimit të masave minimale për reduktimin në burim të shkarkimeve të asbestit në ajër, ujë dhe toke.

Projektvendimi përshtat plotësisht Direktivën e BE-së 87/217/EEC dhe mbështetet në Ligjin nr. 27/2016 “Për menaxhimin e kimikateve”. Projektvendimi është parashikuar në planin analitik të Ministrisë së Mjedisit për katërmujorin II të vitit 2026, si dhe në Planin Kombëtar për Integrimin Evropian (2025–2027).

Sfondi historik dhe rreziqet shëndetësore

Studimet e cituara në relacion tregojnë se në Shqipëri janë përdorur rreth 200,000 ton asbest gjatë periudhës 1930–1990, kryesisht në produkte ndërtimi. Ndonëse përdorimi i tij u kufizua me VKM në vitin 1994 dhe me legjislacionin e vitit 2003, studimet e viteve 2009 dhe 2012 nga shoqata ANEP evidentuan prani të asbestit në shkolla, spitale, tregje e fabrika në qytete si Tirana, Vlora, Korça, Bajram Curri e Lushnja.

Siç theksohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), asbesti është një kancerogjen i rëndësishëm që shkakton rreth gjysmën e vdekjeve nga kanceri në punë. Rreziku shfaqet kur fibrat çlirohen në ajër dhe futen në mushkëri, duke shkaktuar pasoja fatale pas një periudhe të gjatë inkubacioni.

Elementet kryesore të projektaktit

Projektvendimi përbëhet nga 4 krerë dhe 2 anekse:

  • Rregullat e trajtimit: Përcakton detyrimet për personat fizikë dhe juridikë që trajtojnë produkte ose mbetje që përmbajnë asbest.
  • Kushtet e transportit dhe landfillit: Mbetjet duhet të trajtohen, paketohen ose mbulohen gjatë transportit dhe depozitimit për të parandaluar lëshimin e pluhurit në ajër ose derdhjet në ujëra.
  • Anekset teknike: Aneksi I përcakton kufizimet e shkarkimeve në ujë, ndërsa Aneksi II përcakton metodat e matjes së fibrave të asbestit në ajër.
  • Hyrja në fuqi: Akti hyn në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare, pa periudhë tranzitore, pasi struktura përgjegjëse (Zyra e Kimikateve pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit) disponon kapacitetet e nevojshme.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Mjedisit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Financave, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, si dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Zbatimi i projektvendimit nuk parashikohet të sjellë efekte të menjëhershme financiare në buxhetin e shtetit, pasi do të mbulohet nga kapacitetet ekzistuese institucionale.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme