Plazhet e Ksamilit mbushen me pushues, uji kristal dhe natyra mahnitin vizitorët

Turizëm | 2 muaj më parë

Ksamili është kthyer në këto ditë të muajit gusht në një nga destinacionet më të preferuara për turistët e huaj, të cilët e zgjedhin për të kaluar pushimet e tyre verore. Plazhet me ujë të kristaltë, natyra e bukur dhe atmosfera relaksuese kanë tërhequr një numër të lartë vizitorësh, të cilët shprehen të mahnitur nga bukuritë që ofron kjo zonë.

“Jemi për shtatë ditë në Ksamil, por ndoshta do ta zgjasim qëndrimin. Është hera e parë që vijmë në Ksamil. Deri tani kemi qenë vetëm në këtë plazh, por do të vazhdojmë të vizitojmë edhe vende të tjera”, tha një turist.

“Plazhet dhe deti janë shumë të bukura, uji është jashtëzakonisht i pastër, kristal. Është vërtet e mrekullueshme. Për herë të parë që shohim këto plazhe dhe njerëzit, mendojmë se janë shumë miqësorë. Në vendin tonë kishim dëgjuar disa gjëra negative, por nuk është aspak kështu. Njerëzit janë shumë të sjellshëm dhe mirëkuptues. Çmimet janë shumë të lira, vërtet shumë të përballueshme”, u shpreh një turiste.

Përveç turistëve të huaj, edhe emigrantët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit po zgjedhin Ksamilin si destinacion pushimesh. Mes tyre janë edhe vizitorë nga Maqedonia e Veriut, të cilët rikthehen për të kaluar pushimet në Shqipëri.

“Kjo është dita e dytë këtu në Ksamil. Po më pëlqen deti, ambienti, shumë bukur. Kjo është hera e parë këtu në Ksamil për mua. Unë kam qenë në Shqipëri përpara, ama kjo është hera e parë në Ksamil”, tha një vizitore nga Maqedonia e Veriut.

Rritja e fluksit të pushuesve gjatë këtij sezoni veror po e konfirmon Ksamilin si një nga pikat më të kërkuara turistike në jug të Shqipërisë. Operatorët turistikë dhe bizneset vendase shprehen optimistë për vijimësinë e sezonit, ndërsa interesi i lartë pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

 

Gazetare B. Pëllumbi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme