Mbi 570 mijë vizitorë në zonat e mbrojtura, ADZM Shkodër: Parku i Alpeve, vetëm gjatë korrikut ka pritur 90 mijë turistë
Ky sezon turistik, në zonat e mbrojtura të qarkut të Shkodrës, po shënon rekorde të numrit të vizitorëve. Sipas Administratës së Zonave të Mbrojtura, gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti, mbi 500 mijë vizitorë vendas dhe të huaj kanë frekuentuar pesë zonat e mbrojtura të qarkut. Fluksi më i lartë regjistrohet në Parkun Kombëtar të Alpeve, me qendër Thethin i cili vetëm gjatë muajit korrik, është vizituar nga afro 90 mijë turistë.
“Për zonat e mbrojtura kemi pasur një rritje në krahasim me vitit e kaluar mbi 10-15% të numrit të vizitorëve dhe kjo kryesisht në parkun kombëtar të Alpeve, Lumin e Shalës dhe liqenin e Shkodrës. Në krahasim me vitin e kaluar kemi pasur një shtim të numrit të vizitorëve të huaj të cilët kanë eksploruar kryesisht shtigjet natyrore siç është shtegu Theth – Valbonë, Theth – Vuthaj dhe monumente e natyrës si ujëvara e Grunasit dhe Syri Kaltër”, tha Agim Dardha, Drejtor i ADZM Shkodër.
Rritja e numrit të turistëve sjell edhe sfida për administrimin dhe mbrojtjen e këtyre territoreve. Ruajtja e pastërtisë, menaxhimi i mbetjeve dhe mbrojtja e biodiversitetit mbeten ndër prioritetet kryesore të ADZM Shkodër.
“Këtë vit ne kemi pasur një përmirësim kryesisht dhe në shtigje, por edhe në pjesët qendrore të parqeve kombëtare siç kemi pjesën e Vermoshit, Bogës, Lpushës, Thethit, lumit të Shalës, që kanë pasur një nivel më të mirë të pastërtisë në këto zona”, theksoi Dardha.
Në këtë sezon, deri tani nuk janë shënuar incidente dhe vërehet një prani më e madhe e guidave turistike, veçanërisht në itineraret malore dhe shtigjet e turizmit të aventurës.
Megjithatë, autoritetet apelojnë vizitorëve të mos hyjnë në shtigje të pamarkuara dhe të shmangin ecjet në terrene të panjohura dhe të jenë nën shoqërimin e guidave të licencuara.
Gazetar: A. Hoti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





